Ndërkombëtarizmi është një nga synimet e Kolegjit Universitar “LOGOS”. Në këtë kuadër, stafi i tij, në bashkëpunim me dhjetë institucione të arsimit të lartë, nga gjashtë vende, Gjermania, Greqia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnia e Herzegovina, po zbatojnë projektin “Bridging the Digital Humanities and Educational Media Divide in the West Balkans”, pjesë e programit “Erasmus”. Kolegji Universitar “LOGOS” udhëheq rrjetin e universiteteve partnere në këtë projekt.
Më datat 4-6 dhjetor 2023, në sallën e amfiteatrit të Kolegjit Universitar “LOGOS”, në prani të drejtuesve të universitetit, stafit akademik e administrativ, si dhe përfaqësuesve të të gjitha universiteteve partnere, u mbajt takimi i parë i përgjithshëm. Pjesë e takimit ishte një tavolinë e rrumbullakët, ku u diskutua rreth disa nga arritjeve më të fundit në fushën e digjitalizimit të shkencave humane, metodave e teknologjive në funksion të tyre, si dhe strukturimit të kurrikulës e silabuseve, për hartimin e një programi studimi në nivel master, në shkencat humane digjitale.
Diskutimet u udhëhoqën nga disa nga profesorët e universiteteve partnere, të përfshirë në këtë projekt: Prof. Arbana Kadriu, Dekane, Fakulteti i Shkencave Bashkëkohore dhe Teknologjisë, Universiteti i Europës Juglindore, Maqedonia e Veriut; Prof. Dr. Selma Rizvic, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Universiteti i Sarajevës, Bosnje-Hercegovina; Prof. Nikolaos Avouris, Dekan, Fakulteti i Inxhinierisë, Universiteti i Patrës, Greqi; Prof. Asox. Dimitris Koukopoulos, Drejtor i programit të studimit Master Shkencor në “Qasje Bashkëkohore në historinë dhe arkeologjinë e qyteteve”, Departamenti i Historisë dhe Arkeologjisë, Universiteti i Patras, Greqi; Prof. Dr. Ing. Ernesto William De Luca, Profesor i Inteligjencës Artificiale me qendër njeriun, Universiteti “Otto-von-Guericke” i Magdeburgut, Gjermani.
Qëllimi i këtij projekti është të kontribuojë në përafrimin e studimeve humanitare digjitale dhe mediave digjitale edukative në Ballkanin Perëndimor me arritjet evropiane. Për këtë qëllim, ekspertiza evropiane e avancuar ndihmon në forcimin e ekspertizës në Studime Humanitare Digjitale dhe Media Digjitale Edukative në universitetet partnere në BP në dy drejtime:
1. Zhvillimin e programeve të reja të studimit;
2. Rishikimin dhe përditësimin e silabuseve të lëndëve të detyrueshme dhe me zgjedhje në kurrikulat ekzistuese, me metoda dhe qasje që kanë në fokus transformimin digjital.
Projekti kontribuon, gjithashtu, në zhvillimin dhe përmirësimin e bazës laboratorike të universiteteve partnere, si dhe do të realizojë një hulumtim të thelluar në tregun e punës në këtë rajon, për të përshtatur të dhënat me prirjet aktuale e të së ardhmes, si dhe të zhvillojë disa trajnime të specializuara për stafin akademik, atë laboratorik dhe studentët.
Joana Molla,
Anastas Moçi