Proselitizmi i disa misionarëve të huaj në Rumani vë në rrezik demokracinë, afirmoi mitropoliti Daniel i Moldavisë. Në një editorial të publikuar në një buletin informativ të departamentit të marrëdhënieve me jashtë të Patrikanës Rumune, ai nënvizon se intensifikimi i proselitizmit ngjall “çdo ditë e më shumë pakënaqësinë midis popullit”. Ndërsa përfaqësuesit e proselitizmit religjioz, sidomos amerikanë, invokojnë lirinë fetare, demokracinë, për t’u justifikuar, të shumtë janë ata që në Rumani dhe në pjesë të tjera të Europës, konsiderojnë, në të kundërt, që proselitizmi është një rrezik për demokracinë”.
Sipas një instituti britanik studimesh ushtarake dhe strategjike, konsiderohet se zhvillimi i sekteve në Europën Lindore është një faktor destabilizimi.
Më tej, Mitropoliti vë në dukje, se duhet bërë dallimi ndërmjet lirisë fetare, të konceptuar si “një dëshmi paqësore dhe që respekton të tjerët në besimin e tyre personal apo të komunitetit” dhe “proselitizmit agresiv dhe provokues, që përdor gjithë mjetet, qofshin ato financiare, ekonomike politike apo psikologjike, për të konvertuar shpirtrat dhe mund të përqasen me një kolonializëm ideologjiko-fetar”.