EmailFacebookKontakt

Zëri i vërtetë i besimtarëve orthodhoksë

Drejtorisë së Radiotelevizionit Shqiptar

Ne besimtarët orthodhoksë, pjesëmarrës sot në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë në festimin e Shën Gjergjit, protestojmë me forcë ndaj fyerjes të palejueshme dhe plagosjes së gëzimit të besimtarëve, të bërë në mënyrë të përsëritur nga Televizioni në emisionet informative të ditës së kremtimit të Pashkës, .1 Maj.

Në këto emisione, pasi u treguan vizitat e autoriteteve më të larta të shtetit në tre qytete të vendit, për t’iu uruar Pashkët besimtarëve orthodhoksë, u dha një deklaratë e një farë komiteti imagjinar, që vetëquhet mbrojtës i autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila me një gjuhë plot pasione dashakeqe, u përpoq të fyejë Kryepiskopin Anastas. Të indinjuar, protestojmë energjikisht për këtë mashtrim të opinionit publik.

Me kënaqësi u njohëm nëpërmjet Televizionit për vizitat e Presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë nëpër disa kisha të vendit tonë. Por, do të ishte e dobishme të jepej edhe njoftimi se priftërinjtë dhe populli që i pritën janë pjesëtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ata klerikë janë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Kishës sonë, drejtuar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.

Theksojmë, se i ashtuquajturi komitet dhe thëniet e tij nuk përfaqësojnë asnjë komunitet orthodhoks në Shqipëri. Ç’është ky komitet, ç’përfaqëson, me cilët klerikë shqiptarë ka lidhje dhe në cilat kisha të Shqipërisë ka ndikim. Vallë dëshirojnë ta kthejnë KOASH në një vegël politike. Apo si në regjimin komunist, kur ajo ishte e veçuar nga familja orthodhokse botërore. Kisha Orthodhokse, besnike ndaj traditave të saja fetare, kombëtare e patriotike, është kundër çdo ndërhyrjeje keqdashëse, nga kushdoqoftë, që kërkon të na përçajë, duke u hequr sikur kërkon të na mbrojë.

Ne, besimtarët orthodhoksë, i kërkojmë Qeverisë, Parlamentit dhe Presidentit të dëgjojnë zërin tonë, të respektojnë ndjenjat tona fetare dhe jo ç’thonë disa individë të veçuar, që duan ta shfrytëzojnë Kishën tonë për interesat e tyre të ngushta.

Tiranë, 2.maj.1994, ora 11.00

Nga besimtarët orthodhoksë të enorisë së Tiranës, pjesëmarrës sot në Kishën e Ungjillëzimit në festimin e Shën Gjergjit

Drejtorisë së Radiotelevizionit Sqiptar

Korçë më 3 Maj 1994

Për dijeni: Kryetarit të Kryesisë së Kuvendit Popullor Zotit Pjetër Arbnori

Ne, besimtarët orthodhoksë korçarë, të të gjitha enorive të Korçës, i drejtohemi Radiotelevizionit Shqiptar për të protestuar për fyerjet e përsëritura ndaj ndenjave tona fetare dhe kryetarit të KOASh-it, Hirësisë së Tij Anastas…

… Dirigjenti i kësaj fushate antiorthodhokse bëhet një i vetëquajtur “Komitet për shpëtimin e autoqefalisë”. Por do të qe e mirë për një moment ky Komitet anonim të na shfaqte emrat e përveçëm të disa anëtarëve të tij. Pa dyshim që pas tyre nuk do të që e vështirë të zbulojë ndonjë teoricien “të marksizëm-leninizmit enverist”, ndonjë nga ata që hipën të parët e thyen kryqet e kishave dhe dogjën ikonat e shenjta.

Fatkeqësisht pas avazit të këtij “dirigjenti anonim” vënë edhe disa parti politike që me deklaratat e tyre pompoze e të fryra gjoja në emër të patriotizmit e të mbrojtjes së autoqefalisë na përsërisin fraza bajate që u shkojnë pas oreksit atyre që kërkojnë përçarjen midis besimeve fetare. Deklarata të tilla tingëllojnë sa kontradiktore, aq edhe të pabesueshme pikërisht në një ditë që disa nga personalitetet më të larta shtetërore vizitojnë kishat e rënuara orthodhokse, lëshojnë fjalë “balsam”, madje përplasin edhe vezët e kuqe, ndërsa nga dikush tjetër, nga thellësia më e zezë e shpirtit të tij vjell vrer, helm, djallëzi…

Ne besimtarët orthodhoksë korçarë kërkojmë që kjo protestë masive të transmetohet në emisionet e lajmeve të Radiotelevizionit Shqiptar, si një e drejtë e jona legjitime, që diktohet nga demokracia.

Nga besimtarët orthodhoksë të gjithë enorive të Korçës

Drejtorisë së Radiotelevizionit Shqiptar

Kisha Orthodhokse Autoqefale dhe besimtarët e saj beratas ndihen të shqetësuar prej fushatës së egër të perçuar nga mjetet e informacionit kundër KOASH dhe fesë tonë të krishterë orthodhokse. Në të njëjtën kohë po grabiten thesaret e kulturës orthodhokse shqiptare, si ikonat e vyera të Onufrit, epitafi i Gllavenicës, po flitet për përqindje joreale të popullatës orthodokse, po bëhet paralelizim midis helenizimit dhe fesë orthodhokse etj.

Fushatë e paskrupullt po bëhet kundër kreut të KOASh, Hirësisë së tij Anastas duke spekulluar me origjinën e tij greke, por prapa kësaj synohet të goditet organizimi i kishës sonë dhe praktikimi i fesë orthodhokse nga besimtarët e Shqipërisë, duke manipuluar gjithmonë me të njëtat mjete, si vepronte dikur regjimi i egër komunist.

Ne ritheksojmë përsëri me forcë se Kryepiskopi Anastas është kreu i ligjshëm i KOASh, i miratuar nga gjithë besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë sipas rregullave kanonike të kishës dhe i njohur nga Kishat Botërore e gjithë Kishat simotra. Ky njeri i Perëndisë, personaliteti erudit e human, gjatë qëndrimit në Shqipëri ka ndihmuar jo vetëm për ngjalljen e Kishës sonë Orthodhokse, por edhe për forcimin e dashurisë me vëllezërit tanë shqiptarë, myslimanë e katolikë, ka ndikuar në zbutjen e paqes në Ballkan etj. Dëshmi e këtij qëndrimi paqtues, ndër të tjera, është edhe marrja e titullit Akademik me temën: “Bashkëekzistenca e tri feve në Shqipëri – shembull unik”.

E quajmë të padrejtë e antidemokratike njëanshmërinë e drejtuesve të RTSH që nga njëra anë lejojnë transmetimin e deklaratave paranoike të të ashtuquajturit “Komitet për shpëtimin e Autoqefalisë” dhe nga ana tjetër bllokon transmetimin e deklaratave të KOASH e të gjithë organizmave të saj të ligjshme nëpër rrethe, si edhe të besimtarëve orthodhoksë.

Kisha Orthodhokse e besimtarët e saj beratas

Berat, më 5.05.94

Drejtorisë së Radiotelevizionit Shqiptar

Shumë deklarata dhe prononcime të KOASH-it për probleme të ndryshme që shqetësojnë opinionin tonë dhe Kishën, nuk janë transmetuar nga RTSH-ja. Ju bëjmë pyetje juve zotërinj drejtues të RTSH, përse gjithmonë shpejtoni të transmetoni deklarata të një komiteti fantazmë, të ashtuquajtur për mbrojtjen e autoqefalisë dhe deklaratat tona, që jemi përfaqësues legjitimë të KOASh, të njohur nga të gjitha kishat motra të botës dhe nga Këshilli Botëror i Kishave, të zgjedhur nga populli, nuk na i transmentoni? …

Komuniteti Orthodhoks, Durrës.

Drejtorisë së Radiotelevizionit Shqiptar

Ne, orthodhoksët e qytetit të Fierit, na indinjojnë shumë gjestet dhe qëndrimet e njëanshme që vërehen hera herës ndaj Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale dhe besimtarëve tanë nga ana e RT.Sh.

Konkretisht: Si është e mundur që RTSH-ja, të transmetojë deklaratën e një të ashtuquajturi Komitet Orthodhoks, kur dihet mirë, se, ky i ashtuquajtur Komitet, është artificial, pa asnjë bazë, pa asnjë kishë, pa asnjë prift…

Shumë probleme që shqetësojnë KOASH dhe të cilat në formë deklaratash apo prononcime shujanë dërguar juve, nuk i keni transmetuar. Konkretisht për rrethin tonë: dërguam në kohën e duhur filmimin e festimit të Pashkës së Madhe, por edhe ky nuk u dha nga ana juaj.

Komuniteti orthodhoks i Fierit

Drejtorisë së Radiotelevizionit Shqiptar

Nga ana e RTVSH shpesh janë vërejtur qëndrime të njëanshme ndaj Kishës së vërtetë dhe të legjshme Autoqefale të Shqipërisë dhe përfaqësuesve legjitimë të saj. Shpesh herë shumë deklarata dhe prononcime të KOASh për probleme dhe arsye të ndryshme nuk janë transmetuar nga RTSH. Përse ndodh kjo? Ne besimtarët orthodhoksë të qytetit të Kavajës ruajmë traditat tona të pastra fetare madje dhe në vite vitet kur feja u ndalua për 24 vjet rresht, ne vazhduam të besonim dhe të bënim ritet fetare me sa kishim mundësi pra dhe ne sot jemi kundër çdo ndërhyrjeje nga kushdo qoftë që kërkon të na përçajë.

Nga besimtarët orthodhoksë të Kavajës dhe nga Këshilli orthodhoks i KOASH, Zëvendësia Kavajë

Drejtorisë së Radiotelevizionit Shqiptar

Për dijeni Presidentit të Shqipërisë z. Sali Berisha dhe Parlamentit Shqiptar

Me indinjatë të thellë dëgjuam deklaratën e të ashtuquajturit “Komitet për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë” si dhe deklarata të disa partive e shoqatave të ndryshme për të përzënë Kryepiskopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij Anastasin si njeri i pa dëshiruar për Kishën Orthodhoksë dhe besimtarët e saj.

I Fortlumturi Anastas është njeriu më i arrirë për kohën e sotme, që e ka çuar dhe organizuar Kishësn tonë si mos më mirë. Për ne orthodhoksët shqiptarë në këto kohë të vështira këtë njeri na solli Perëndia dhe këtë duhet ta mbajmë e ta dëgjojmë derisa vetë Perëndisa të na dërgojë një tjetër Kryepiskop, për vazhdimin e misionit apostolik. Prandaj ju lutemi shumë të mos na ngacmoni dhe të na pengoni në punët tona fetare.

Mjaft me aksione e fushata, si të sistemit monist. Jemi në demokraci dhe ju lutemi respektoni këtë demokraci sepse kështu do të na dojë bota dhe mbarë njerëzimi.

Nga klerikët dhe besimtarët pjesëmarrës të Kishës së “Shën Marisë” të qytetit të Elbasanit në ditën e Burimit Jetëdhënës.

Elbasan me dt 6.5.1994.

Drejtorisë së Radiotelevizionit Shqiptar

Ne besimtarët Orthodhoksë të qytetit Lushnjë, pjesëmarrës sot në Liturgjinë Hyjnore në Kishën e ShënePremtes Lushnjë, me neveri dhe indinjat të thellë dëgjuam transmetimet tuaja antiorthodhoksisë, të hartuara nga një farë i ashtuquajtur “Komitet për autoqefalinë e KOASH-it” dhe pasuar nga disa parti e organizata keqdashëse të fesë sonë.

Pse ju zotërinjtë e RTV nuk transmetoni dhe protestat tona, apo sa herë ndodheni ngushtë, fajtor është KOASH-i.

KOASH nuk ka nevojë për ju zotërinj ajo ka vendin dhe saj e në krye Fortlumturinë e tij Anastas, i pëlqyer nga besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë.

Nga besimtarët orthodhoksë të enorisë së Kishës së ShënePremtes Lushnjë

Lushnje 6 maj 1994

Shënim: Gjithashtu redaksisë i kanë ardhur protesta edhe nga besimtarët e Selenicës, Shkodrës, etj. të cilat nuk mundëm t’i botonim për mungesë vendi!