EmailFacebookKontakt

Zemërimi

Etërit e Kishës e krahasojnë zemërimin me gjarpërinjtë helmues. Prej zemërimit, gjuha nxjerr fjalë të pahijshme e duart nuk mund të përmbahen. Nga shkaku i zemërimit ndahen vëllezërit ndërmjet tyre. Të zemëruarit humbasin logjikën, harrojnë respektin si dhe mirësitë që ekzistonin më parë. Për të gjitha këto që përmendëm më sipër, zemërimi është cilësuar si një çmenduri e përkohshme. Të zemëruarit ngjajnë me të demonizuarit e Gadaridesë.

“Natën edhe ditën shkonte nëpër varre e male, duke bërtitur e duke qëlluar me gurë” (Marku 5:5).

Ekzistojnë njerëz, të cilët për gjënë më të vogël zemërohen, bërtasin e egërsohen, duke përfunduar në zënkë. Një ndër paradokset e natyrës njerëzore është se njeriu mund të jetë njëkohësisht agresiv ndaj disave, ndërsa nga ana tjetër të jetë besnik e bujar ndaj disa të tjerëve.

Etërit e Kishës na mësojnë se zemërimi është mëkat: “Të ofendoi i zemëruari – përgjigjju me heshtje”.

Pa mendohu njëherë, se edhe Zotin e rrahën, e pështynë e i shqyen rrobat. “Ndanë rrobat e mia ndë mes tyre dhe mbi të veshurit tim hodhën short”.

Pranojeni rrahjen, siç e pranoi Zoti shuplakën: “Një nga shërbëtorët i ra me shuplakë Jisuit” (Joani 18:22).

Flaka e zemërimit do të shuhet vetëm me pendimin. Zemërimin tënd duhet ta kthesh ndaj djallit, i cili është shkaktar i të gjitha mëkateve. “Zemërohu e mos fëjeni” dielli të mos perëndojë me zemërimin tuaj” (Efesianëve 4:26).

A e dini se ai që zemërohet me vëllanë e tij bën një mëkat të madh. Ai ngjan me atë qenin, i cili kafshon gurin që e goditi, në vend të hakmerret me atë që e lëshoi gurin. Zoti ynë na mëson: “Unë po ju them juve, se kushdo që zemërohet më kot kundër vëllait të tij, do të jetë fajtor në gjyq.” (Matheu 5:22). Zemërimi është shpërthimi i pasionit. Por si do të mundemi që ta ndalojmë këtë pasion kaq të keq? Vetëm në qoftë se do të jemi të përulur dhe do të kemi parasysh fjalët e Zotit: “Kush do të dojë të jetë i pari, do të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve” (Marku 9:35).

Siç e dimë, dobia nga këshillat që japin mjekët vjen mbas zbatimit të tyre. E njëjta gjë ndodh edhe në jetën shpirtërore. “Sepse, çdo pikëllim e zemëratë, e bërtitur, e sharë le të hiqet larg prej jush bashkë me çdo ligësi. Dhe bëhuni me njëri – tjetrin të mirë e zemërdhembshur, duke e ndjerë njëri – tjetrin, sikundër edhe Perëndia u ndjeu juve me anën e Krishtit” (Efesianët 4:31 – 32).

A. Llukani