Ditët e fundit mediat kanë pasqyruar arrestimin e një poseduesi ilegal të veprave të trashëgimisë kulturore, mes të cilave janë shumë ikona dhe objekte të tjera orthodhokse të grabitura nga kishat. Kjo u bë shkas për këtë reagim, sepse, edhe më parë ka ndodhur që këta posedues ilegalë të bien në duart e organeve të rendit, por objektet e vjedhura nuk janë kthyer në kisha. Këta persona mburren me koleksionin e tyre si t’i kishin personale, pa gjykuar se çfarë dëmi i bëjnë komunitetit dhe objekteve ku ato janë vjedhur.
Nga sa u dha në media, konstatohej se në këtë koleksion kishte një spektër të gjerë të elementeve të trashëgimisë kulturore Orthodhokse, si: ikona, pjesë ikonostasi, veshje episkopësh, potire të shenjta, epitaf, ungjij dhe objekte të tjera kishtare. Është e sigurt dhe e qartë se këto materiale janë të marra në mënyrë të paligjshme nga fondi disaqindravjeçar i Komunitetit Orthodhoks. Normalja do të ishte që në mënyrë shumë të thjeshtë këto objekte me vlerë shpirtërore dhe funksionale t’i kthehen në mënyrë të padiskutueshme Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe komunitetit të saj.
Ndër vite, nga objekte të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë vjedhur shumë elementë, ashtu si përshkruam edhe më sipër, për të cilat Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, së bashku me organet e saj në të gjitha zonat ku ajo vepron, kanë bërë denoncimet përkatëse. Në shumicën e rasteve, për të mos thënë në të gjitha rastet, keqbërësit dhe hajdutët nuk janë gjetur dhe kështu ka vazhduar kjo histori duke i lënë objektet kishtare të zhveshura nga vlerat e tyre. Kjo gjë vihet në dukje jo vetëm nga besimtarët e përhershëm në këto kisha, por edhe nga vizitorët jo të paktë, të cilët shpeshherë mahniten me bukurinë e tyre, por shprehin dhe keqardhjen për elementët e munguar, që prishin harmoninë shpirtërore dhe estetike në interierët përkatës.
Edhe në rastet kur organet e rendit gjejnë “kolekstionistë” të këtyre materialeve me vlerë, si rasti i Artan Koçiut që është i freskët, apo dhe rasti i para disa viteve i Gjergji Thimios, Kisha Orthodhokse Autoqefale a Shqipërisë nuk përfillet fare nga organet që merren me hetimin dhe përcaktimin e fajësisë, apo përkatësisë së këtyre objekteve. Gjithmonë ndodh e njëjta gjë: koleksionistët kapen, fondi i tyre sekuestrohet, thirren organet shtetërore që mbulojnë trashëgiminë kulturore dhe me një qark të mbyllur këto vlera futen në fondin e errët dhe jashtë kushteve teknike të arkivave të organeve të trashëgimisë kulturore, pa parë më pas për shumë kohë dritën e diellit, por edhe duke duke humbur vlerën e tyre kryesore, për të cilën janë krijuar – atë shpirtërore.
Deri kur do të vazhdojmë kështu?! Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila është organi i vetëm përfaqësues i trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore të Komunitetit Orthodhoks, është e vetmja që mund t’i marrë dhe t’i kthejë në vendet e tyre të gjitha këto objekte që i përkasin asaj dhe vetëm asaj.
Nga Kisha jonë janë bërë të gjitha përpjekjet, duke kërkuar zyrtarisht të drejtën e saj nga organet e drejtësisë dhe ato të kulturës, por edhe duke pasur takime të drejtpërdrejta me drejtues të këtyre organeve, por asgjë nuk ndodh. Ka vetëm premtime apo edhe heshtje, dhe kështu nuk marrin zgjidhje padrejtësitë që rrjedhin nga këto veprime autoritare, jashtë kontureve shoqërore. Kështu zbehet edhe e drejta për një marrëdhënie ligjore e detyruese për rendin shoqëror të cilit pretendojmë që i përkasim.
Ark. Rest. Gentian (Joan) Stratobërdha