Ndoshta ti vjen prej thellësive humnerike, o acar absurd; ti, që shkele drithërimën; ti, që shkelmove trupa të pafajshëm; ti, që qeshe duke shtrydhur ligësi djallëzore; ti, që për një çast i ngrive arteriet tona! Arteriet. Ato i kanë ndier prej kohësh të tuat hapa zvarrëse e të ftohta… tinzaritetin, që shkeli dhe theu kryqe. Asnjëherë s’kisha menduar, se do të shihja të tillë erozion çmendurie. Fytyra, që dhimbshëm tregojnë, vraga atje, atje, edhe këtu, përsëri aty, oh, vraga në shpirt! Vrasi universale, që trondit e zgjon. Përse? Shenjtorë të rimartirizuar në Shqipëri! Ti shigjetove, por ata nuk vdesin, ashtu si s’vdiqën edhe, kur trupat ua coptuan dhëmbët zverdhakë tiranizues. Drita e tyre shkëlqen dhe i zhduk vragat. Shiko! Ata janë të plotë, të mrekullueshëm, hyjnorë, të paprekshëm atje, ndërsa këtu është vetëm dëshmia-akuzë. Thika jote preu e copëtoi ajër, sepse s’mund ta arrijë diellin, ajo gërvishti dhe shpërndau kudo grimca nga ato mure floriri. Ti deshe t’i zhdukje, por ato fluturuan dhe prekën qelizat, shpirtrat, u futën në thellësi të tyre, në ritme zemrash.
Dhimbja ngelet për ne dhe për ju. Për ne, se i duam ato yje, që na tregojnë udhën e Qiejve; për ne, se e kemi dhe duhet ta ruajmë thesarin e paçmuar. Për ju, sepse zgjodhët rolin e djallit në jetë; për ju, sepse edhe në Kryq e riplagosët Krishtin! Dëgjoni! Prej atij Kryqi, me Përulësinë e Skajshme, Ai lutet edhe për ju “Fall, o At”?
U përballa me egërsinë tënde. Ajo përjetësisht do të ngelet aty dhe heshturazi do të flasë: “Njëherë provova të vras Parajsën”!!!
Voskopojë shtator ’96
Efrosina Noti