Me solemnitet dhe emocion, qyteti i Vlorës dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përkujtuan sot 25-vjetorin e jetëndërrimit të Episkopit të Apollonisë Hirësi Kozma Qirjo, figurë e shquar shpirtërore dhe hero i Besimit Orthodhoks në periudhën e diktaturës ateiste, lindur në fshatin Bestrovë të Vlorës. Aktivitetet përkujtimore në nderim të këtij personaliteti të madh, nisën me Shërbesat e Mëngjesores, Meshën e Shenjtë dhe shërbesën e Përshpirtjes të drejtuara nga Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Fierit, Hirësi Nikollën; Mitropolitin e Beratit, Hirësi Astin dhe Episkopin e Krujës, Hirësi Anastasin.
Kryepiskopi Joan, në fjalën e tij për-mendi përkushtimin e palëkundur të Hirësi Kozmait për t’i shërbyer Kishës dhe vlerave të përjetshme të Ungjillit në kohët më të vështira të diktaturës ateiste. “Jeta e tij është një dëshmi e gjallë se besimi dhe dashuria mund të mbajnë të gjallë shpresën edhe në kohët më të vështira të mohimit dhe pabesisë” – theksoi ai.
Të pranishëm ishin klerikë nga dioqezat e vendit, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe vendore, si dhe dhjetëra besimtarë e qytetarë që e njihnin dhe e nderonin figurën e tij.
Në një ceremoni të veçantë, Këshilli Bashkiak i Vlorës i akordoi Hirësisë së Tij, Kozmait titullin “Qytetar Nderi”, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në ruajtjen e vlerave shpirtërore, forcimin e bashkësisë shpirtërore dhe mbajtjen të ndezur të pishtarit të besimit, kur kjo vepër dënohej me ligj. Titulli iu dorëzua Atë Ilia Qirjos, të birit të të lumurit.
Jeta dhe veprimtaria
Hirësi Kozmai lindi në Bestrovë të Vlorës, në një familje të devotshme orthodhokse. Që në moshë të re u dallua për thjeshtësinë, urtësinë dhe prirjen e tij të natyrshme për t’iu shërbyer Kishës dhe të tjerëve. Arsimin fillestar e mori në vendlindje, ndërsa formimin teologjik e vazhdoi në shkollat dhe institucionet kishtare të kohës, duke fituar respektin e mësuesve dhe miqve të tij për seriozitetin dhe dashurinë për Zotin, Shkrimin e Shenjtë dhe dijen. Si klerik dhe më pas si Hierark i Kishës, shërbeu në periudha të ndërlikuara për vendin, duke u bërë zë i fortë për mbrojtjen e besimit dhe për ruajtjen e unitetit shpirtëror. Në të gjitha shërbesat e tij, tregoi përulësi, mençuri dhe një dashuri të pakufishme për njerëzit, pa dallim. Ai i qëndroi pranë Fortlumturisë së Tij, të lumurit Imzot Anastasit që nga momenti kur ai erdhi në Shqipëri në korrik të vitit 1991 e deri sa dorëzoi shpirtin e tij te Perëndia. Kozma Qirjo u bë një pikë referimi për besimtarët orthodhoksë të zonës së Vlorës, Tiranës, Durrësit, Sarandës, Korçës dhe më gjerë, duke u kujdesur për besimtarët, duke i inkurajuar ata të mos hiqnin dorë nga besimi duke ofruar shembullin dhe modelin se asnjë pushtet apo fuqi njerëzore nuk mund ta zhdukë besimin.
Kujtimi që mbetet i gjallë
Pas Shërbesave të Shenjta, të pranishmit vizituan varrin e tij në Kishën e Pesë Martirëve në Bestrovë, dhe u lutën për shpirtin e tij. Në një drekë përkujtimore klerikë, miq, bashkëpunëtorë dhe besimtarë ndanë kujtime e rrëfime të paharrueshme, duke dëshmuar se figura e tij vazhdon të frymëzojë edhe pas një çerek shekulli.
25-vjetori i ndarjes nga jeta i Hirësisë së Tij, Kozma Qirjo nuk ishte thjesht një përvjetor, por një mesazh i fuqishëm që vepra e mirë nuk shuhet, por mbetet e gjallë në kujtesën e njerëzve dhe në jetën e Kishës. Një moment tepër emocionues ishte kur Kryepiskopi Joan vizitoi shtëpinë e Hirësi Kozmait si edhe bodrumin e kësaj shtëpie në fshatin Bestrovë, ku ai u pagëzua prej Hirësi Kozmait në vitin 1974.
I përjetshëm kujtimi i tij!
Atë Grigor Pelushi
Përgjegjës i Radios Ngjallja