EmailFacebookKontakt

Vlera historike dhe vizioni i vazhdueshëm i Gazetës “Ngjallja”

Këtë vit mbushen 33 vjet nga botimi i pandërprerë i gazetës mujore të Kishës sonë, “NGJALLJA”. Një rrugëtim që nisi në tetor të vitit 1992, kur i lumuri Kryepiskop Anastas vendosi të krijonte një kanal komunikimi dhe dëshmie për një Kishë që sapo po dilte nga dimri i thellë i shtypjes ateiste.

Kryepiskopi Anastas, duke shërbyer për shumë vite si Drejtor i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, e kishte kuptuar thellësisht rëndësinë e fjalës së shkruar. Ai e dinte se librat dhe revistat nuk janë thjesht mjete për transmetimin e informacionit, por janë dëshmitarë të gjallë të Ngjalljes së Krishtit, dëshmitarë të ringjalljes së Kishës sonë, dhe dëshmitarë të mundimeve dhe përpjekjeve të Kryepiskopit Anastas dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij në rindërtimin e Kishës sonë. Është detyrë e shenjtë për ne që ta vazhdojmë dhe ta forcojmë gazetën tonë. Me këtë bindje, ai filloi botimin e “NGJALLJES” me mjete minimale – një kompjuter të dhuruar dhe një dhomë të vogël me qira – por me besim të pakufizuar në fuqinë e Krishtit të Ngjallur.

Veçanërisht, duhet theksuar se Kryepiskopi Anastas përkujdesej personalisht për çdo botim të “NGJALLJES”. Ai ndiqte me vëmendje procesin e përgatitjes, duke kontrolluar edhe detajet më të vogla të çdo numri. Ky përkushtim personal bëri që gazeta të pasqyrojë jo vetëm ngjarjet e Kishës, por edhe vizionin dhe shpirtin e tij. Sot, “NGJALLJA” është, ndër të tjera, edhe një dëshmi e gjallë e pranisë së vazhdueshme të Kryepiskopit Anastas në jetën e Kishës sonë, një trashëgimi e çmuar që vazhdon të frymëzojë dhe udhëheqë punën tonë.

Nga 8 faqet fillestare, sot kemi arritur në 16 faqe, duke ruajtur njëkohësisht një çmim të përballueshëm për tri dekada. Kjo qëndrueshmëri nuk është e rastësishme; ajo pasqyron përkushtimin e palëkundur ndaj vizionit fillestar: të përcjellë mesazhin e Ngjalljes në çdo familje orthodhokse të Shqipërisë.

Rëndësia e “NGJALLJES” tejkalon shumë kuadrin e një botimi të thjeshtë kishtar. Ajo përbën një arkiv të gjallë të historisë bashkëkohore të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Ngjarjet e jetës kishtare nuk janë të parëndësishme, por luajnë një rol thelbësor pasi ndriçojnë përparimin e një bashkësie dhe veprën e saj si traditë e gjallë. Pa këtë regjistrim sistematik, shumë aspekte të rilindjes së Kishës sonë do të ishin humbur në harresën e kohës.

Në 385 numrat e botuar deri më sot, pasqyrohet i gjithë rrugëtimi i rindërtimit: nga ndërtimi i kishave dhe edukimi i klerikëve deri te veprimtaritë sociale dhe bamirëse, programet arsimore dhe marrëdhëniet ndërorthodhokse. Çdo faqe e “NGJALLJES” dëshmon mënyrën se si drita e Ngjalljes depërton në jetën e përditshme të besimtarëve dhe transformon shoqërinë.

Vizioni fillestar i Kryepiskopit Anastas, siç u shpreh në tekstin themelues të numrit të parë, mbetet aktual: “Me himnin e Ngjalljes lufton të mbështesë dashurinë, guximin dhe durimin e popullit të shumëvuajtur… Ngjallja mbetet zemra e spiritualitetit orthodhoks… Dritën e Ngjalljes dëshiron të rrezatojë dhe të përhapë me artikujt dhe Lajmet e saj”.

Sot, ndërsa reflektoj mbi këtë rrugëtim 33-vjeçar, shpreh mirënjohje të thellë dhe nderim të veçantë për frymëzuesin e “NGJALLJES”, Kryepiskopin Anastas, i cili ofroi jo thjesht idenë, por edhe udhëheqjen dhe shkrimet e tij personale, duke e bërë këtë gazetë një nga shtyllat e rilindjes së Kishës sonë. Por mirënjohja jonë shtrihet ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në botimin e “NGJALLJES”. Disa prej tyre tashmë kanë ndërruar jetë: kryeredaktorët e ndjerë Dr. Thoma Qendro dhe Thoma Dhima, të cilët i kushtuan vite të çmuara të jetës së tyre këtij botimi, si dhe i ndjeri Dhimitër Beduli, i cili shërbeu me përkushtim si Kryetar i këshillit botues. Puna, mundi dhe përkushtimi i tyre mbeten një trashëgimi e çmuar për Kishën tonë dhe një frymëzim për brezat e rinj. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për stafin e ri që po e vazhdon me profesionalizëm dhe me përkushtim përgatitjen dhe botimin e kësaj gazete të rëndësishme për Kishën tonë.

Vizioni ynë për “NGJALLJEN” mbetet i qëndrueshëm: të vazhdojë të jetë një zë dëshmie dhe shprese, një urë komunikimi midis enorive tona dhe botës dhe një dëshmi e gjallë e pranisë së vazhdueshme të Krishtit të Ngjallur në jetën e Kishës dhe të shoqërisë. Siç na mëson boshti qendror i gazetës sonë, ne mbetemi të përqendruar në “Unë jam Ngjallja dhe jeta” (Jn. 11:25), në triumfin e dashurisë mbi urrejtjen, të së vërtetës mbi gënjeshtrën dhe të shpresës mbi dëshpërimin.

Ungjilli dhe Tradita e Shenjtë mbetet qendra e Kishës Orthodokse, duke ia transmetuar këtë të pandryshuar çdo brezi, në mënyrën dhe gjuhën që ata kuptojnë. Kam besimim e plotë se stafi i ri i gazetës ka përgatitjen, talentin dhe dëshirën, jo vetëm thjesht për ta vazhduar botimin e saj, por për ta ngritur akoma më lart dhe për ta pasuruar akoma më shumë, që kjo Gazetë të jetë në gjendje t’iu përgjigjet nevojave dhe kërkesës aktuale të brezave të rinj.

Ecim me besim drejt së ardhmes, duke vazhduar rrugën dhe frymën që na la themeluesi i “NGJALLJES”, gjithmonë me ndërgjegjësimin se i shërbejmë jo thjesht një botimi, por vetë dëshmisë së gjallë të Ngjalljes në epokën bashkëkohore.