1. Vlera e jetës së njeriut nuk varet nga pikëpamjet e secilit, sado “prijës përparimtar” që mund të mbahet ai.
“Për vlerën e njeriut flet ndërgjegjja njerëzore, që e pranon jetën si të mirën supreme.
Çdo njeri ka të drejtën të besojë atë që do; është i lirë të ketë mendimin, që i pëlqen. Por, paralelisht, ka edhe një detyrim të dyfishtë:
a) të mos ketë tendenca totalitare; të mos kërkojë të imponojë me zor pikpamjet e tij; të mos i verë ato në zbatim në dëm të të tjerëve,
b) të kërkojë gjatë gjithë jetës së tij” që të gjejë të vërtetën dhe ta shndërrojë atë në pikpamje të tij. Kush do të na thotë se cila është vlera e jetës së embrionit? Sigurisht, jo disa “përparimtarë”, por legjislacioni ndërkombëtar dhe ndërgjegjja ndërnjerëzore.
2. Për vlerën e jetës “Deklarata universale e të Drejtave të Njeriut” (Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, 10 dhjetor 1948) në nenin 3, thotë: “Çdo individ ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë së personit të tij”. Në nenin 7 plotëson: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe gëzojnë pa dallim të drejtën e mbrojtjes së tij”.
3. Çfarë është më e lartë? Çfarë duhet të mbrohet më shumë? Jeta e individit, domethënë e embrionit, apo të drejtat e gruas për të bërë atë çka dëshiron me trupin e saj?
Le të kufizohemi në disa opinione.
Një profesor i njohur i sociologjisë, Kavadhia, shkruan: “Një mbrëmje, më mori në telefon një zonjë e njohur dhe më shtroi pyetjen: ‘Me çfarë të drejte mund të ndërhyjë dikush në jetën e tjetrit dhe t’i thotë bë ose mos bë abort?’ I dhashë përgjigje në formën e një silogjizme analogjike: Nëse, një njeri është i prirë drejt parajsave artificiale, drogave, alkoolit, apo lojrave të fatit, a e ka shteti të drejtën t’i ndalojë plotësimin e dëshirave së tij? A nuk përbën kjo prirje, çështje personale? Çdo ndërhyrje shtetërore, a nuk do të përbënte fyerje të personalitetit apo të të drejtave të individit? Dhe, rrjedhimisht, shkelje të lirisë së individit?”
Nëse të gjitha këto konstatime (rrjedhime psikologjike dhe psikiatrike) – vazhdon profesori – do t’i konsideroj me seriozitetin e duhur, nëse pranoj, se secili prej nesh është përgjegjës për tërësinë shoqërore, nëse do të them si Dostojevski “Kur një njeri kryqëzohet mbi dhe, kryqëzohet gjithë njerëzimi”, atëhere, del qartë konkluzioni se shoqëria ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën, që të ndërhyjë, të ndihmojë dhe të mbështesë njeriun”.
Me pak fjalë, profesori do të theksojë se shoqëria ka të drejtën dhe detyrën të ndërhyjë dhe të mos u lejojë disa individëve të kryqëzojnë njerëzimin, duke vrarë pjestarët më të pambrojtur dhe më të pafajshëm të saj, foshnjat e palindura. Interesimi i tërësisë shoqërore manifestohet në kujdesin për nxjerrjen e ligjeve të përshtatshme dhe jo me çfarëdolloj deklaratash personale apo kolektive.