EmailFacebookKontakt

Vjedhje përdhosëse të kishave orthodhokse

Krahas dëmtimeve të qëllimshme të simboleve fetare orthodhokse, jo më pak shqetësuese janë edhe vjedhjet e përsërituara të kishave. Madje, frekuenca e lartë e tyre vë pikëpyetje se sa ato janë ordinere. Sidoqoftë, fakt është, se kur shqyhet një kishë apo vidhen gjërat e shenjta, ky është një sakrilegj që cënon fenë dhe revolton besimtarët. Aq më tepër, që edhe këtu, policisë duket se i është prishur “nuhatja”, pasi pothuajse asnjëherë nuk i ka kapur hajdutët.

Më skandalozja ishte vjedhja e kishës së Shën Thanasit në Voskopojë, e cila “mbrohet” nga njerku shtet, ku fakti i humbjes skandaloze të vlerave unike shpirtërore dhe kulturore, u pasua një sërë pohimesh dhe mohimesh nga organet përkatëse të rendit dhe kulturës, duke vënë seriozisht në dyshim se sa “kompetente” janë. Por, pavarësisht nga zhurma, ende nuk ka anjë gjurmë as të baldakinit e ikonave e as të “ujkut”.

Po në mitropolinë e Korçës u vodh kisha që ndodhet mu në mes të qytetit të Ersekës, madje u grabitën edhe enë të shenjta dhe përsëri asnjë fajtor nuk kapet. Për të vazhduar më tej me Mitropolinë e Gjirokastrës, ku ka pasur një epidemi vjedhjesh e thyerjesh të kishave në zonën e Sarandës e së fundmi në fshatin Bularat të Dropullit dhe sërisht asgjë për autorët. Gjithashtu në Mitropolinë e Beratit, janë vjedhur kishat e Libofshës, Karavastasë, Daullasit etj., dhe ende nuk ka përgjegjës e deri tek vjedhja e përsëritur e kishës së Durrësit…

Kjo indiferencë e organeve policore në dëmtimet e qëllimshme apo jo të kishave orthodhokse nuk është vetëm shqetësuese, por kërkon shqyrtim nga shteti, pasi frytet afatgjata mund të jenë mjaft të hidhura.

T.