EmailFacebookKontakt

Vizitë që shprehu miqësi të sinqertë

Të martën, 13 qershor, në kuadrin e vizitës zyrtarë në vendin tonë, pati një takim me Fortlumturinë e Tij Anastasin, Sekretari i Shtetit për Kultet i Rumanisë, z. Nikolae Branzea dhe përgjegjësi për marëdhëniet me jashtë i këtij Sekretariati, z. Vasi Surdu. Ata shoqëroheshin nga Kryetari i Komitetit të Kulteve të Shqipërisë, z. Behar Bejko dhe Ambasodori Rumun në Tiranë, z. Filip Teodoresku.

Z. Branzea i bëri Kryepiskopit një pasqyrim të punës të Sekretariatit të Feve të Rumanisë dhe të drejtat e ndihmën që kanë komunitetet fetare të Rumanisë nga shteti, si edukimi fetar në shkolla, pagimi i një pjese të rrogave të klerikëve, kthimi i pronave etj., pa ndërhyrë në punët e tyre të brendshme.

Kryepiskopi Anastas nga ana e Tij, falenderoi për vizitën, duke vlerësuar përvojën rumune, si një bazë ku mund të mbështet edhe Komiteti i ri i Kulteve në Shqipëri. Fortlumturia e Tij theksoi marrëdhëniet shumë të mira me Tërëshënjtërinë e Tij Teoktist, Patrik i Kishës Orthodhokse Rumune dhe me mjaft hierarkë të lartë rumunë, me të cilët ka bashkëpunuar prej 30 vjetësh në lëvizjen ekumenike botërore dhe atë panorthodhokse.

Fortlumturia e Tij shprehu gëzimin për këtë vizitë dhe shpresën, që së shpejti të vijë për vizitë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Patriku Teoktist. Gjithashtu, Kryepiskopi u bëri një ekspoze miqve nga Rumania rreth arritjeve të Kishës sonë pas përsekutimit të gjatë, por edhe të problemeve që ende nuk po gjejnë zgjidhje, si ato në lidhje me pronat, taksimin e ndihmave dhe ndërtimeve, edukimin fetar, trojet e ndërtimit etj.

Korresp. i “Ngjalljes”