Nga 6-11 gusht në Seminarin Teologjik “Holy Cross” (Kryqi i Nderuar) të Bostonit u zhvillua një Konferencë Ndërkombëtare mbi Ierapostolinë dhe Ungjillëzimin. Nderi i ligjëratës kryesore të hapjes së Konferencës i ishte dhënë Fortlumturisë së Tij, Anastasit, me temë “Vizioni global i shpalljes së Ungjillit”. Gjithashtu, Kryepiskopit i ishin bërë ftesa dhe nga Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse të Amerikës së Veriut e Jugut, Jakovi, nga i cili varen një pjesë e kishave shqiptare dhe nga Mitropoliti i Kishës Orthodhokse në Amerikë (OCA), Theodhosi, nën vartësinë e të cilit janë Kisha e Shën Gjergjit, Boston dhe pjesa tjetër e kishave të diasporës shqiptare.
Delegacioni i KOASh-it në këtë Konferencë, përbëhej nga Kryepiskopi Anastas dhe At Jani Trebicka.
Fillim i mbarë
Më 4 gusht udhëtuam drejt New Yorkut. Në aeroport na priste Episkopi Athinagora, priftërinj, gazetarë etj. Të nesërmen, Kryepiskopi Anastas pati një takim me Kryepiskopin Jakov. Në mesditë udhëtuam drejt Bostonit. Në aeroport na priste At Vasil Xhorxhi, i Kishës së “Shën Trinisë”, shqiptar me origjinë nga Pogradeci, At Ilia Katri, i njohur për besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë, i cili ndihmoi KOASH për rreth 5-6 muaj, si drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës, z. Petraq Minari, zoti Xhon Jozef, At Joan Pelushi, si dhe bashkatdhetarë të tjerë.
Në fillim shkuam në Seminarin Teologjik të Kryqit të Nderuar, ku do të zhvillohej Konferenca. Aty Kryepiskopi Anastas pati një takim të ngrohtë me shqiptarë të diasporës dhe miq e dashamirës të tij, që erdhën ta takonin.
6 gusht: Pas ftesës së At Vasil Xhorxhit, At Jani Trebicka, At Ilia Kefri dhe At Vasil Xhorxhi meshuan në kishën e Shën Trinisë. Pas Liturgjisë Hyjnore, sërish një takim i ngrohtë me shqiptarët e diasporës dhe shumë të mërguar vitet e fundit.
Pasdite u hap Konferenca e Misionit dhe Ungjillëzimit. Ligjëratën e parë e kishte Fortlumturia e Tij Anastasi, mbi “Vizionin global të shpalljes së Ungjillit”. Episkopi i Bostonit dhe President i Seminarit Teologjik të “Holy Cross”, Metodi, në fjalën e tij të hyrjes u shpreh: “Në ka njeri që është marrë tërë jetën e tij me Misionin e Ungjillëzimin, ky është Kryepiskopi i Shqipërisë Anastasi, i cili ka qenë misionar që në rini të tij dhe më pas, kur u bë episkop, ka shkuar për 10 vjet në Afrikë dhe sot vazhdon misionin e tij apostolik në Shqipëri që prej 4 vjetësh”. Më pas, Kryepiskopi Anastas mbajti ligjëratën, që u prit me duartrokitje dhe shumë interes, të cilin e dëshmuan pyetjet e shumta.
7 gusht: Në Kishën e Kryqit të Nderuar u krye një Liturgji Hyjnore, e kryesuar nga Imzot Anastasi. Më pas, vazhdoi punimet konferenca, ku merrnin pjesë edhe shumë shqiptarë të diasporës.
8 gusht: Paradite e pasdite vazhdoi punimet Konferenca. At Luka Veroni, i cili shërben në Kishën tonë që prej më shumë se një viti, mbajti një ligjëratë mbi Misionin në Shqipëri, që u prit ngrohtë nga pjesëmarrësit.
Vizitë mes shqiptarëve të Uorçesterit
9 gusht: Rreth mesditës shkuam në Uorçester. Kryepiskopi kishte marrë një ftesë nga At Denis Shyti, shqiptaro-amerikan, prift i Kishës Fjetja e Shën Marisë të atij qyteti, pjesë e Kishës Shqiptare në Amerikë. Vizitën e parë e bëmë në një spital të mrekullueshëm për të moshuar të sëmurë, i cili qe ngritur nga kishat e kombësive të ndryshme. Spitali mbante emrin e Shën Trinisë dhe brenda tij kishte dhe një kishë të vogël, ku të gjithë priftërinjtë e qytetit bënin meshë me radhë. Atje delegacioni i KOASH-it u prit nga dy priftërinj shqiptarë, At Denis e At Spiro dhe nga priftërinjtë e Kishës Arumune, Kishës Greke, Kishës Antiokiane dhe disa priftërinj të ardhur nga rrethinat.
Më pas vizituam këto kisha të qytetit, ku njerëz nga kombësi të ndryshme kalonin aq mirë e në harmoni dhe në mes tyre qe dashuria e Krishtit. Në Kishën e “Fjetjes së Shën Marisë” Kryepiskopi dhuroi disa libra liturgjikë të botuara nga KOASH-i, kalendarë e gazeta.
Pritje e ngrohtë nga Mitropoliti Theodhos
10 gusht: U nisëm për në New York, pas ftesës së Mitropolitit Theodhos për të vizituar Mitropolinë e Kishës Orthodhokse në Amerikë, ku na befasoi një pritje madhështore. Kishin dalë për të na pritur Mitropoliti Theodhos dhe dy episkopë të tjerë, priftërinj nga kishat e diasporës shqiptare dhe të kishave të kombësive të tjera. Pritje me Ungjill dhe Dhoksologji për Kryepiskopin e Shqipërisë. Të dy Kryehierarkët shkëmbyen dhurata. (I çuditur, pyeta Imzot Anastasin për këtë dashuri dhe pritje madhështore. M’u përgjigj se me Mitropolitin Theodhos na ka bashkuar misioni i Ungjillëzimit e njihemi që para 30 vjetësh). U kthyem sërish në Boston, ku më 11 gusht u mbyll Konferenca.
Liturgji dhe takime në Kishën e Shën Trinisë
13 gusht: Të dielën radioja e Bostonit, në një emision për shqiptarët, lajmëroi se në Kishën e Shën Trinisë do të meshonte Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasi. Kisha ishte plot me besimtarë të enorisë së Shën Trinisë, nga enoritë e Kishës së Shën Gjergjit dhe Shën Joan Pagëzorit; shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të SHBA, emigrantë të kohëve të fundit. Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi Anastas dhe At Vasil Xhorxhi, At Ilia Ketri, At Jani Trebicka, At Luka Veroni e At Joan Pelushi. Mbas mbarimit të Liturgjisë, Kryepiskopi u takua me besimtarët dhe pati biseda të ngrohta e miqësore. Të shumtë ishin ata që dhuruan diçka për ndihmë Kishës sonë.
Më pas u dha një drekë për nder të delegacionit shqiptar, ku merrnin pjesë rreth 200 vetë. Folën Kryepiskopi Anastas e At Ilia Ketri. Prekëse e mallëngjyese qenë fjalët e At Vasil Xhorxhit, i cili u shpreh: “Sa e sa kohë, e sa vite kishte që në këtë kishë të Shën Trinisë nuk ishte dëgjuar lutja episkopale: ‘O Zot, o Zot, shtjer syrin prej Qiellit dhe vizito dhe rregullo këtë vresht që e ka mbjellur dora jote e djathtë. Këtë kënaqësi na e dhatë ju Fort i Lumturi Imzot Anastas.'” Pas drekës të gjithë donin të merrnin bekimin e Kryepiskopit tonë. Mbasdite shkuam në varrezat e qytetit, ku Fortlumturia e Tij Anastasi bëri një trisai në varret e Hierarkëve shqiptarë Fan Noli, Stefan Laska e Marko Lipe.
Para ikonës së Shën Marisë që loton
14 gusht: Përsëri në udhëtim, për të plotësuar ftesën e bërë nga shqiptarët e Çikagos. Në aeroport kishin dalë për të na pritur përfaqësues të Këshillit drejtues të Kishës së Shën Nikolas dhe At Filip Kufoi, prifti i kësaj kishe etj. Pas drekës shkuam në Kishën e Shën Nikollës, shumë e veçantë për gjithë besimtarët orthodhoksë të Amerikës.
U mahnitëm nga pamja aq tronditëse e mallëngjyese, që tregon vërtetësinë e padiskutueshme të besimit tonë të krishterë Orthodhoks: Ikona e së Përmbishenjtës, së Përmbilavdëruarës, Hyjlindëses, Virgjëreshës Mari – qante. Lotët e shenjtë nisnin nga sytë dhe vazhdonin, duke lënë vazhdë deri në fund të ikonës. Copa pambuku pritnin poshtë që lotët e së Përmbishenjtës të mos binin në tokë. Ishte një mrekulli, një bekim nga Perëndia dhe këtë bekim të Perëndisë e të Hyjlindëses e kishte Kisha e Shën Nikollës e diasporës shqiptare, mes shumë kishave të kombësive të ndryshme. Para disa vjetësh kjo ikonë lotoi për disa muaj. U vizitua nga e gjithë bota. U bënë analiza kimike nga shkencëtarët dhe përmbajtja ishte: lot të pastër. Përsëri Ikona e së Përmbishenjtës Mari filloi vajtimin më 23 korrik të këtij viti. U gjunjëzuan para ikonës Kryepiskopi Anastas dhe gjithë të tjerët që e shoqëronim. Iu lutëm Zotit për bekim, paqe e shëndet dhe dashurinë e Krishtit midis gjithë diasporës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
15 gusht, Kremtimi i Fjetjes së Hyjlindëses nga Kryepiskopi Anastas dhe At Mihai Deliu, prifti i vjetër i Kishës, At Ilia Ketri dhe At Jani Trebicka u bë në këtë kishë, të mbushur nga qindra besimtarë. Pas predikimit nga Imzot Anastasi dhe mbarimit të meshës, besimtarëve iu dhuruan libra liturgjikalë, kalendarë e gazeta të botuara nga KOASH-i. Enoritë merrnin bekimin nga Kryepiskopi Anastas, duke marrë naforën e i puthnin dorën, duke i uruar mirëseardhjen. Më vonë, për nder të delegacionit tonë u dha një drekë madhështore, ku merrnin pjesë rreth 150 të ftuar. Imzot Anastasi u foli të pranishmëve, për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas dreke të gjithë na takonin me shumë mall e dashuri. Të shumtë ishin ata që dhuruan ndihma për Kishën tonë. Nga Kisha e Shën Nikollas u dhuruan 25000 dollarë.
16 gusht: Përsëri shumë vizita. Miqtë e dashamirësit e Kishës sonë dhe Kryepiskopit Anastas, që donin ta takonin patjetër, vazhdonin të shtoheshin deri në mbrëmje vonë.
17 gusht: Të përcjellë me shumë dashuri nga shqiptaro-amerikanët u larguam nga Çikago për në New York, nga morëm rrugën e kthimit.
Të shumtë ishin klerikët që shprehën dëshirën të vinin të meshonin në Shqipëri. Zoti ja u plotësoftë dëshirën. I falenderojmë për gëzimin, respektin e dashurinë që shprehën për delegacionin e KOASH-it, për Kryepiskopin Anastas. Gëzimi dhe dashuria e tyre janë të ligjshme. Siç u shpreh fort i nderuari At Ilia Ketri, ishte hera e parë në historinë e SHBA-së që një Kryepiskop i Shqipërisë vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diasporën shqiptare. Mirupafshim përsëri. Dashuria e Krishtit qoftë mbi ne gjithmonë.
Protopresviter
+ At Jani Trebicka