Nga bota e krishterë
SHBA
Vizitë e Patrikut Ekumenik Vartholomeu I
Nga 19 tetori deri në 17 nëntor Patriku Ekumenik Vartholomeu I, bëri një vizitë zyrtare në SHBA, në kuadrin e 75-vjetorit të Kishës Orthodhokse të Amerikës së Veriut, që është nën juridiksionin e Patrikanës Ekumenike. Përveç takimeve në Uashington, programi përmbante vizita baritore edhe në Baltimore, San Francisko, Los Anxheles, Santa Barbara dhe Pitsburgh. Kjo ishte vizita e dytë e një Patriku Ekumenik, pas asaj të Patrikut Dhimitër më 1990.
Më 19 tetor, në mbërritjen në Uashington, Tërëshenjtëria e Tij Vartholomeu I u prit nga primati i Kishës Orthodhokse të Amerikës së Veriut Spiridhon. Pastaj, Patriku u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Klinton, para se të merrte pjesë në një darkë të dhënë për nder të tij nga çifti presidencial. Ai, gjithashtu, pati takime me zëvendëspresidentin Al Gore, sekretaren e shtetit Madaleine Ollbrajt, anëtarët e Sinodit dhe Kongresit etj. Në fjalën përpara Kongresit, para se të bekonte popullin amerikan. Patriku shpjegoi se besimi orthodhoks është i hapur ndaj gjithë popujve, në respekt të ndryshimeve dhe lirisë dhe se, e fortë nga përvoja e persekutimeve nën regjimet komuniste, në Rusi e në Shqipëri, Kisha Orthodhokse mund të sjellë në Amerikë mësimin se: “Besimi mund të jetojë pa lirinë, por liria nuk mund të jetojë pa besimin”. Me këtë rast Patrikut Vartholomeu I iu akordua edhe dekorata shumë e lartë, Medalja e Artë e Kongresit.
Qëndrimi në Uashington pati dhe një aspekt kulturor e ndërfetar, me vizitën në muzeun e Holokaustit, ku Tërëshenjtëria e Tij njohu përgjegjësitë e të krishterëve në zhdukjen e popullsisë hebreje gjatë luftës së Dytë Botërore dhe deklaroi, se “Gjithë ata që vdiqën në Holokaust ishin martirë, dëshmia e të cilëve na tregon rrugën që duhet ndjekur drejt dashurisë së Perëndisë”. Patriku vizitoi edhe universitetin e Xhorxhtaun, ku mori një doktoratë “honoris causa” dhe drejtoi hapjen e takimit të parë të dialogut ndërmjet orthodhoksëve e myslimanëve të Shteteve të Bashkuara.
Më 22 tetor Patriku vizitoi Baltimoren, ku u takua me Kardinalin katolik Uilliam Keller, si dhe vizitoi selinë e Organizatës Ndërkombëtare Orthodhokse të Bamirësisë (IOCC), e cila që nga krijimi i saj më 1992 ka shpërndarë mbi 50 milionë dollarë ndihma humanitare në Bosnje, Rusi Shqipëri, Gjeorgji etj.
Më 24 tetor, në Nju Jork, Patriku Ekumenik u prit nga autoritetet civile, Guvernatori Pataki dhe kryetari i Bashkisë Xhuliani. Pastaj u takua me Këshillin Kombëtar të Kishave, një organizatë që përmbledh kishat protestante, anglikane e orthodhokse dhe pastaj priti episkopët Orthodhoksë kanonikë të Amerikës së Veriut. Të nesërmen Tërëshenjtëria e Tij shkoi në Institutin e Theologjisë Orthodhokse të Shën Vladimirit në Grestwood, ku iu akordua një “honoris causa” në prani të Mitropolitit të Uashingtonit, Theodhosit, Primat i Kishës Orthodhokse në Amerikë.
Pika kulmore e vizitës në Nju Jork ishte celebrimi i Liturgjisë Hyjnore më 26 tetor në Medison Square Garden, para dhjetëra mijërave besimtarëve. Ndërsa në 27 tetor mori fjalën në OKB dhe në një pritje të organizuar për nder të tij nga Sekretari i Përgjithshëm Kofi Anan.
Kisha Orthodhokse numëron sot në Shtetet e Bashkuara më shumë se 5 milionë besimtarë, të përfshirë kryesisht në tri dioqeza, atë të Patrikanës Ekumenike, të Kishës Orthodhokse në Amerikë dhe të Patrikanës së Antiokisë.