PATRIKANË EKUMENIKE
Vizitë e një delegacioni të Kishës Anglikane
Një delegacion i Kishës Anglikane kreu një vizitë zyrtare në selinë e Patrikanës Ekumenike të Konstandinopojës, nga 10-11 maj. Delegacioni mori pjesë në një takim pune me anëtarët e komisionit sinodik për marrëdhëniet midis kishave, të drejtuar nga Mitropoliti Krisostom i Efesit, dekan i Sinodit të Shenjtë.
Gjatë bisedimeve u pa gjendja e dialogut teologjik midis dy kishave dhe u ekzaminuan vështirësitë që ekzistojnë në zhvillimin e marrëdhënieve midis tyre, sidomos për sa i përket kontradiktës rreth problemit të futjes së grave në misterin e priftërisë (që Kisha Orthodhokse, në bazë të Kanoneve të Shenjta, nuk e pranon, por që Kisha Anglikane ka filluar ta aplikojë).
Pas këtij takimi, ky delegacion u prit në audiencë prej Patrikut Ekumenik Vartholomeut, të cilit i transmetuan një mesazh personal prej Kryepiskopit të Kantërberrit, Xhorxh Karejt, kryetar i Kishës Anglikane. Pas këtyre takimeve delegacioni asistoi edhe në shërbesa të kryera në manastirin e Burimit Jetëdhënës.