EmailFacebookKontakt

Vizitë e një delegacioni parlamentarësh evropianë në Patrikanën Ekumenike

Nga bota e krishterë

Patrikana Ekumenike

Vizitë e një delegacioni parlamentarësh evropianë në Patrikanën Ekumenike

Patriku Ekumenik Vartholomeu I, priti në një audiencë në rezidencën e tij në Stamboll një delegacion parlamentarësh europianë. Biseda u zhvillua mbi vlerat shpirtërore dhe humane të Evropës, respektin për të drejtat e njeriut dhe tolerancën, ruajtjen e mjedisit, rolin e orthodhoksisë në një Europë, që është në ndryshim. Patriku Vartholomeu I, theksoi se ishte i kënaqur tek shihte që dialogu dhe bashkëpunimi midis Bashkimit Europian dhe Patrikanës Ekumenike “që nuk kishte qenë i mundur në të kaluarën”, ka sot “plot shpresa”. Delegacioni i Partisë Popullore Europiane (PPE), që përfshinte 16 deputetë, ishte i udhëhequr nga ish-kryeministri belg Vilfrid Martens. Eshtë hera e parë që një delegacion i parlamentit evropian është pritur në një audiencë nga drejtuesit më të mëdhenj të kishës.

Gjatë vizitës së tyre deputetët europianë morën pjesë në një sërë konferencash mbi orthodhoksinë dhe për problemet e shoqërisë bashkëkohore, organizuar në mjediset e Patrikanës Ekumenike. Temat e diskutimit u shtrinë mbi “Të drejtat e njeriut dhe vlerat njerëzore universale”, “Mbrojtja e mjedisit”, “Politikat sociale”, Roli i orthodhoksisë në Evropë”. Ndërmjet të ftuarve bënin pjesë mitropoliti Dhimitër i Vresthenës, profesor i Institutit të Teologjisë Orthodhokse “Kryqi i Shenjtë” në Boston (SHBA), at Filothe Faros (kisha orthodhokse Greke), at Emanuel Adamakis, (drejtor i zyrës së kishës orthodhokse pranë Bashkimit Europian në Bruksel), Zhan Fransua Kolosimo nga Instituti Shën Serg në Paris, Kristos Janaras, profesor në Institutin e Shkencave Politike të Athinës.

Sipas burimeve të shtypit në Stamboll revista islamike turke “Turkië” botoi një koment tepër agresiv për sa i përket kësaj ngjarje. Revista i drejton kërcënimet e saj Patrikut Vartholome I, se po luan një rol politik duke denoncuar Turqinë “se nuk po i jep garancinë e barazisë së të drejtave”.

Kisha e Shën Sofisë.