EGJYPT
Nga bota e krishterë
Vizita të Patrikut Petro nëpër Afrikë
Primati i ri i Kishës Orthodhokse të Aleksandrisë, Patriku i Aleksandrisë Petro VII, kreu vizitën e tij të parë pastorale në kontinentin Afrikan, duke shkuar në Uganda dhe Kenia. Këto vende Patriku i ri i njihte mirë, sepse aty kishte shërbyer si episkop gjatë viteve 1991-1994.
Qëllimi i vizitës, ndër të tjera, ishte dhe pjesëmarrja në fronëzimin e episkopit të ri të Ugandës, mitropolitit Jonas. Programi i vizitës përmbante gjithashtu edhe takime të shumta me klerin dhe besimtarët e dioqezave të ndryshme që Patriku vizitoi, si dhe takime në Seminarin teologjik Makarios III, në Nairobi.
Patriku Petro udhëheq një Kishë, që përfshin rreth 200-350.000 besimtarë. Orthodhoksia në Afrikë këto dyzet vitet e fundit po njeh një ngritje të rëndësishme, por sidomos kjo është më e dukshme në Uganda, Kenia, Tanzani (ku për 10 vjet ka shërbyer Kryepiskopi Anastas).