Me mallin dhe dashurinë për Atdhenë, vendosa të vizitoj vendin tim, Shqipërinë, megjithëse në moshën 92-vjeçare. Gjatë qëndrimit në Shqipëri kisha shumë impresione, sepse tani do të vizitoja një vend ku lindi demokracia. Në atdhe kam vajtur pesë herë që nga viti 1920 që jam larguar, dhe kjo ishte e gjashta herë. Këtë radhë ishte ndryshe, krejt ndryshe. Këtë e vura re që në takimet e para me bashkëatdhetarët e mi të vjetër e të rinj. Më bënë përshtypje se njerëzit flisnin lirshëm, hapur dhe pa ndrojtje për gjërat që mendonin, për politikën, ekonominë, për kishat dhe xhamitë, për punët e tyre të përditshme, për privatizimin dhe të tjera.
Këto i pashë dhe vetë si në Tiranë, Elbasan, Korçë e në disa fshatra. Në biseda që pata me të moshuar dhe djem të rinj shikoja që të gjithë dëshironin një Shqipëri demokratike me liri dhe përparim.
Tani gjendja ka ndryshuar, njerëzit kanë filluar të interesohen për punërat dhe të punojnë. Por akoma jo të gjithë. Një pjesë punojnë në Itali, Greqi, Gjermani e gjetkë duke ndihmuar dhe përmirësuar jetën në familjet e tyre. Kjo gjë as që mund të mendohej më parë. Tani shqiptarët nuk janë të mbyllur, por kanë çfarë të mësojnë dhe nga bota.
Nga intelektualë dhe punëtorë të rinj mësova se Shqipëria ka shumë parti (mbi 20), shumë mendime të ndryshme, shumë gazeta, shumë politikanë me dhe pa eksperiencë. Si unë dhe ata mendonin se nuk ka çfarë duhen kaq parti (gjë që s’e ka as Amerika apo ndonjë shtet tjetër) dhe kaq gazeta për një vend kaq të vogël. Këto gjëra do të na shpinin në llafe dhe pa u marrë me punët, ekonominë apo ndërtimin e vendit. Ata bashkoheshin me mendimet e mia se partitë janë vetë Shqipëria, për të cilën duhet të punojmë dhe jo të prishim e të shkatërrojmë. Këtë gjë duhet ta kenë mirë parasysh edhe politikanët në Shqipëri.
Fshatarët punojnë tani në tokat e tyre për veten dhe familjet e tyre dhe jo në kooperativa si më parë. Nuk duhet harruar se 65 % e popullsisë në Atdhe janë fshatarë. Në qytete ku është edhe industria punohet më pak, sepse ka mungesa në materiale dhe fonde për investime. Për këto qeveritarët duhet të mendojnë dhe punojnë më shumë, ndryshe nuk mund të ngrihet një demokraci e fortë.
Një impresion të veçantë më bënë kishat dhe xhamitë që po ndërtoheshin dhe po riparoheshin me dëshirë e vullnet nga vetë populli. Tani Shqipëria nuk është më ateiste. Pata rastin të shikoj dy xhamitë dhe kishën katolike, po ashtu të hyj dhe të dëgjoj liturgjinë e shenjtë në kishën e Shën Ungjillëzimit në Tiranë dhe në kishën e Mitropolisë në Korçë. Pashë si po ndërtoheshin kisha e Shën Thanasit, e Shën Triadhës, e Shën Ilisë në Korçë. U mallëngjeva… miqtë e mi këto dëshira m’i plotësuan duke dalë edhe në fotografi në të gjitha këto Vende të Shenjta. Nuk do të harroj edhe 15 gushtin, ditën e Shën Marisë në fshatin Boboshticë të Korçës, edhe këtu nuk munguan fotografitë. Ky fshat i bukur priti në këtë ditë gjithë orthodhoksët korçarë. Ishte një gëzim i papërshkruar dhe një festë e madhe, ndërsa mua m’u kujtua biri i këtij fshati At Arthur Liolin njëkohësisht dhe miku im në Boston.
Në Tiranë në kishën e Shën Ungjillëzimit pata rastin të takoj edhe anëtarët e delegacionit Amerikan të kryesuar nga At Arturi, por mbeta i habitur nga ndryshimet që ka bërë kisha shqiptare në krahasim me një vit më parë, e cila ishte si stallë.
Më pëlqyen shandanët e bukur, ikonostasi dhe shumë gjëra të tjera brenda kishës së Shën Vangjelizmoit. Ndjeva një kënaqësi të veçantë dhe një krenari të merituar kur liturgjia e shenjtë bëhej në gjuhën shqipe nga Kryepiskopi Anastas dhe nga ikonom Ilia Katri. Puna e Fort të lumturit Imzot Anastas është shumë e lavdërueshme dhe e nderuar, besimtarët e orthodhoksë gëzonin një dashuri, ngrohtësi dhe respekt të veçantë për Kryepiskopin Anastas i cili është udhëheqësi kishëtar që dërgoi Perëndia për të organizuar kishën e rrënuar Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë.
Nga besimtarët orthodhoksë dëgjova të flitej me entuziazëm e dashuri për ikonom Ilia Katrin si laik dhe shqiptar i lindur në Amerikë, që e zotëron shkëlqyer gjuhën shqipe. Puna e tij gjatë pesë muajve në Shqipëri (si në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe shumë fshatra) e bëri atë të njohur dhe të dashur në të gjithë orthodhoksët e Atdheut të tij.
Nga bisedat që pata me ikonom Ilia Katrin më bënë impresione gjallëria dhe dëshira e tij për të ndihmuar në punërat kishëtare, por sidomos e folura e tij si kur të ketë lindur në Shqipëri.
Ndjeva një kënaqësi të veçantë kur pashë me sytë e mi si duhen ndihmuar bashkatdhetarët dhe vëllezërit tanë në Shqipëri. Megjithëse jam i moshuar shpresoj ta shikoj përsëri vendin tim, të ndihmoj edhe unë atdheun tonë, Shqipërinë, ashtu siç ka bërë dhe djalëria e diasporës shqiptare në Amerikë me në krye ikonom Ilia Katri.
Kështu u largova nga Atdheu, plot mall e gëzim në shpirt për t’u kthyer përsëri në vendin tim të bekuar.
Peter Minnar
Boston
Shënim i redaksisë: Zoti Peter Minnar ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Imzot Fan S. Nolit në SHBA, dhe një nga personalitetet më në zë të diasporës shqiptare atje.