Vizita e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së tij, Imzot Joanit në qytetin e Shkodrës shënoi një moment të veçantë dhe me rëndësi të thellë shpirtërore, institucionale dhe shoqërore, duke u vlerësuar gjerësisht si një nga vizitat më të suksesshme dhe më domethënëse të tij, brenda vendit, deri më tani. Vizita e tij në këtë qytet me histori të pasur kulturore dhe fetare përbën një dëshmi të qartë të rolit të Kishës sonë në forcimin e bashkëjetesës, dialogut dhe paqes shoqërore. Së pari, Kryepiskopi Joan kremtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën Orthodhokse “Lindja e Krishtit”, në të cilën morën pjesë besimtarë të shumtë nga Shkodra, Lezha Tirana etj. Në fjalën e tij baritore ai foli për të Dielën e Paraetërve (Gjenealogjia e Zotit Krisht), duke theksuar rëndësinë e rrënjëve shpirtërore, të trashëgimisë së besimit dhe të vazhdimësisë së traditës, si themel i identitetit të krishterë dhe i jetës shpirtërore të çdo besimtari. Ndër të tjera, theksoi se mesazhi i Krishtlindjes është pikërisht ky, që Krishti hapi rrugën për restaurimin e gjithsecilit nga ne, që do të thotë gjithsecili nga ne duhet të fillojë të pastrojë zemrën e tij, të mos mbajë dëshira dhe mërira në zemër, të mos ketë smirë për të tjerët, të mos ketë inate për njerëzit që janë rrotull tij dhe të përpiqemi të ndihmojmë të tjerët. Nga mënyra si sillemi me të afërmit tanë, varet dhe e ardhmja jonë”. Në fund të Liturgjisë Hyjnore, atë Aleksandër Petani plot me mirënjohje falenderoi Kryepiskopin Joan duke theksuar: “Kjo kishë ku sot u krye Liturgjia Hyjnore nga Fortlumturia e tij Joani, i dedikohet së pari Fortlumturisë së lumur Anastas, që ka ndërrruar jetë dhe i ndrittë shpirti atje në parajsë, pastaj me këmbënguljen e madhe, shumë të madhe të Fortlumturisë së tij, Joanit, u bë e mundur që brenda 24 orëve ky vend këtu të blihet nga Kisha Orthodhokse. Falemnderit, Fortlumturi që na keni bërë me një kishë kaq të bukur në këtë qytet madhështor, djep kulture, që besimtarët orthodhoksë të luten, të falen dhe të shenjtërohen me anë të Kungimit të Shenjtë.
Ju falëndërojmë shumë që erdhët sot në Shkodër, erdhët në shtëpinë tuaj, dhe të na vini më shpesh, sepse kjo tokë ka nevojë për njerëz të shenjtë si ju”.
Në vazhdim të vizitës, Kryepiskopi Joan, i shoqëruar nga atë Aleksandri, atë Nikolla, atë Grigori dhe kryedhjakon Johani, zhvilloi një takim zyrtar në Bashkinë e Shkodrës, ku u mirëprit nga Kryetari i Bashkisë, z. Benet Beci dhe Nënkryetarja e këtij institucioni znj. Teuta Qyteza. Kryetari i Bashkisë e njohu Kryepiskopin tonë me projektet e reja zhvillimore që po ndërmerr institucioni vendor, si dhe me rëndësinë e veçantë që ka ruajtja e harmonisë fetare në jetën e qytetit. Nga ana e tij, Kryepiskopi theksoi se kjo frymë harmonie, mirëkuptimi dhe vëllazërie ndërfetare është një pasuri e çmuar jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë vendin, dhe se duhet kultivuar me përgjegjësi për të mirën e brezave të sotëm e të ardhshëm.
Ndërsa në Myftininë e Shkodrës Kryepiskopi zhvilloi një takim mjaft miqësor dhe vëllazëror me Myftiun e Komunitetit Mysliman në Shkodër, z. Muhamed Sytari. Takimi u karakterizua nga respekti i ndërsjellë dhe nga vullneti i përbashkët për të forcuar më tej dialogun ndërfetar dhe bashkëpunimin në shërbim të paqes, solidaritetit dhe vlerave njerëzore. Myftiu i nderuar i Shkodrës përgëzoi zgjedhjen e imzot Joanit si Kryepiskop i Kishës sonë, si një pasues i denjë i Hierarkut të shquar Kryepiskopit të lumur Anastas. Ai gjithashtu vlerësoi urtësinë dhe mesazhet që Fortlumturia e tij, Imzot Joani shpërndan për besimtarët dhe veçanërisht rreth temave të fundit për dashurinë ndaj vendit dhe familjes. Të dy udhëheqësit shpirtërorë vunë theksin te dialogu, bashkëpunimi dhe vëllazërimi.
Vizita e Kryepiskopit Joan u përmbyll me ndalesën në Katedralen Katolike të Shkodrës, një akt domethënës që përforcon mesazhin e unitetit, respektit dhe të bashkëjetesës midis komuniteteve fetare. Kryepiskopi Joan u mirëprit në një atmosferë vëllazërore nga Dom Vlash Palaj, famulltari i Kishës “Shën Shtjefni” në Shkodër. Këto vizita dëshmuan edhe një herë se Shkodra mbetet një model i rrallë dhe i çmuar i harmonisë fetare, ku dallimet nuk ndajnë, por pasurojnë jetën shoqërore dhe shpirtërore. Kështu, kjo vizitë e Kryepiskopit Joan u vlerësua si një ngjarje me ndikim të gjerë e pozitiv, që përforcon rolin e Kishës sonë, si urë dialogu dhe mirëkuptimi, duke e vendosur Shkodrën në hartën e vlerave universale të paqes, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
Atë Grigor Pelushi