Nuk do të bëj ndonjë përshkrim të gjatë. Do të them vetëm pak fjalë të thjeshta për himnin e mrekullueshëm “Virgjëresha sot” kushtuar Krishtlindjes nga melodi Romanos, të cilin e kanë karakterizuar “Pindar të poezisë ritmike”.
Romanosi jetoi në fillim të shekullit të VI-të pas Krishtit, me prejardhje nga Siria dhe ishte dhjakon në një nga Kishat e Bejrutit. Erdhi në Kostandinopojë dhe u emërua dhjakon në Kishën e Shën Marisë që quhej “e Kiros”. Himnet që ka kompozuar janë kryevepra.
Një natë iu shfaq në ëndër Shën Maria, i dha një copë letër dhe e nxiti ta hante. Romanosi e mori fjalën me kuptimin e saj real dhe përpiqej gjatë ëndrrës ta zbatonte. Kur u zgjua dhe shpirti i tij qe mbushur me mallëngjim e frymëzim, lavdëroi Perëndinë për vegimin. Hipi në amvonin e Kishës dhe psali me prekje të madhe shpirti himnin e shquar “Virgjëresha sot” që psalet ditën e Krishtlindjes dhe që fillon si më poshtë:
Virgjëresha sot, të përmbiqenëshmin lind,
Dhe dheu i blaton, të paafrueshmit shpellën,
Engjëjt me barinjtë, lavdërojnë;
Dhe magët, me yllin udhëtojnë;
Se për ne lindi si djalë i ri
Perëndia i parajetshëm.
Eshtë kjo strofa e parë e një poeme të shkëlqyer, e cila përbëhet nga njëzetekatër strofa. Kjo strofë përbën “temën” e tërë poemës. Në fakt, nuk është poemë, është një dramë e përkryer. Vendi ku zhvillohet drama, është shpella. Personat janë: Foshnja hyjnore, Perëndia, Shën Maria, Engjëjt, Barinjtë, Magët. Antitezat e kompozimit janë prekëse. Figurat e saj të mrekullueshme. Ritmi i saj i jashtëzakonshëm. Meloditë e saj të ëmbla, ashtu siç dinte të krijonte e të kompozonte melodi.
Poetika e Romanosit në përgjithësi është e thjeshtë, por edhe madhështore. Bizantinologu gjerman Krumbaher dhe shumë kritikë të tjerë mendojnë se Romanosi është poeti kishtar më i madh i botës, sepse ky përfaqëson fazën më të rëndësishme të historisë së himnografisë kristiane, e cila me atë arrin përsosmërinë e saj më të lartë. Thellësi e pakrahasuar ndjenje, dispozitë e kulluar poetike, shkëlqim gjuhësor, përsosmëri e padiskutueshme. Himnet e tij liturgjikë janë drama fetare të mrekullueshme.
Në këto gjejmë personat më të mëdhenj të Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re. Patrikët dhe profetët. Apostujt dhe Martirët. Protagonist Perëndia. Tërëdituria hyjnore, Tërëfuqia hyjnore, Drejtësia dhe Shenjtërimi drejtojnë botën dhe gjithçka është në të. Përballë personave të hirshëm, poeti entuziazmohet. Me devocion të jashtëzakonshëm ai vështron Krishtin dhe Nënën e tij. Ngjarjet e së kaluarës zhvillohen si në vegim. Ai vet nxitet, ngacmohet, frymëzohet. Nga fjalët e tij përhapet fjala hyjnore. Nga poezia e tij buron melodi e ëmbël. Nga shpirti i tij gufon lutje qiellore. Fakt, poema: “Virgjëresha sot”
Nuk zgjatem më. Këto pak fjalë janë thërrime nga Tryeza mistike e Melodit Romanos. Janë pak pika vese mëngjesi pranveror. Janë pak petale nga lulet e verës. Që tregojnë lartësinë, thellësinë dhe bukurinë e himnografisë tonë kishtare e në veçanti asaj të Krishtlindjes, të cilën pak e njohim.
Dhimitër Beduli