EmailFacebookKontakt

Virgjëresha Mari

“Sepse na me tashti e paskëtaj gjithë brezat do të më lumërojnë” (Luk 1:48)

Për dy mijë vjet Kisha ka ruajtur kujtimin e Virgjëreshës Mari, si prototipin e gjithë të Krishterëve, modelin e asaj çka do të bëhemi ne më Krishtin. Maria ishte me të vërtetë e dashur dhe pa kushte e bindur ndaj Perëndisë. Tradita e Kishës na thotë se Maria qëndroi e virgjër gjithë jetën e saj. (Mat. 12: 46-50). Ndërkohë që beqaria e përjetshme nuk është më model për t’u ndjekur nga të gjithë të krishterët, pastërtia shpirtërore e Marisë, përkushtimi i gjithshpirtshëm i saj te Perëndia, sigurisht, janë për t’u imituar.

Maria është gjithashtu modeli ynë, sepse ajo ishte personi i parë që pranoi Iisu Krishtin. Ashtu si Maria mbarti Krishtin fizikisht në mitrën e saj, të gjithë të Krishterët kanë tani privilegjin të mbartin Perëndinë shpirtërisht brenda tyre. Me hirin dhe mëshirën e Perëndisë ne pastrohemi dhe fuqizohemi për t’u bërë si Ai.

Nderimi që ne i bëjmë Marisë shënon gjithashtu pikpamjen tonë, se kush është Krishti. Që nga kohët e hershme Kisha e ka quajtur Marinë Nënë të Perëndisë (Gr. Theotokos, Perëndi-Mbartëse), titull që tregon se Biri i saj është plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi. Si nënë e Tij, Maria ishte burimi i jetës njerëzore të Iisuit; megjithatë, Ai që ajo mbarti në mitër ishte gjithashtu Perëndia i përjetshëm.

Prandaj, nga karakteri i saj dhe veçanërisht nga roli i saj në planin e shpëtimit, të Krishterët nderojnë Marinë siç i ka hije si të parën midis shenjtorëve. Kryeengjëlli Gavriil nisi këtë nderim në fjalët që i drejtoi asaj: “Gëzohu, o e mbushur me hir, e bekuar je ti në mes të grave!” (Luk 1:28). Kjo përshëndetje tregon qartë se Vetë Perëndia ka zgjedhur të nderojë Marinë. Statusi i saj i favorizuar u konfirmua kur ajo vajti për të vizituar kushërirën e saj Elisabeta, e cila ishte atëherë shtatzënë në muajin e gjashtë me Joan Pagëzorin. Elisabeta e përshëndeti Marinë me këto fjalë: “E bekuar je ti në mes të grave edhe e bekuar është pema e barkut tënd! Edhe nga më ngjau kjo, të vijë e ëma e Zotit tim tek unë?” (Luk 1:42-43). Edhe vetë Maria, e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë parashikoi nderimin që do t’i bëhej gjatë gjithë historisë: “Sepse na që tani e paskëtaj gjithë brezat do të më lumërojnë” (Luk 1:48).

Ndaj, në bindje ndaj qëllimit të qartë të Perëndisë, Kisha Orthodhokse nderon Marinë në ikona, hymne dhe të kremte të veçanta. Ne i përgjërohemi asaj si qenies njerëzore që qe më intime me Krishtin mbi dhe, të ndërmjetësojë te Biri i saj në emrin tonë. Ne i kërkojmë asaj, si besimtares së parë dhe nënës së Kishës që të na udhërrëfejë dhe të na mbrojë. Ne e venerojmë atë, por nuk i falemi asaj, sepse falja i takon vetëm Perëndisë.

Në Shërbesën e Mëngjesit, të Mbrëmjes në të gjitha shërbesat dhe orët e lutjes, ne këndojmë hymnin e mëposhtëm, i cili shpreh vendin unikal të Marisë në Krijesë.

Me të vërtetë e meriton të të bekojmë, O Hyjlindëse, e përmbibekuar, e përmbikujluar dhe nëna e Perëndisë. Më të nderuarën se Keruvimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim së Serafimet, që pa u cënuar linde Fjalën Perëndi, me të vërtetë, Hyjlindëse, ty të madhërojmë.

Marrë nga “Orthodox Study Bible”