Mëngjesin e datës 21 korrik 2022, u konstatua vjedhja e kryer në kishën “Metamorfoza e Shpëtimtarit”, në qytetin e Korçës, e cila ndodhet në afërsi të parkut “Rinia”. Persona ende të paidentifikuar nga policia në orët e vona të natës kanë arritur të hyjnë brenda saj, kanë marrë kasafortën dhe e kanë shpërthyer atë me forcë, duke marrë sasinë e lekëve që ndodhej brenda.
Personat që shërbejnë në këtë kishë thanë se një ditë më parë ka pasur një ceremoni martesore, çka mund të ketë mundësuar fshehjen e tyre në brendësi të kishës, për të realizuar vjedhjen gjatë natës. Pas grabitjes ata kanë hapur derën e pasme të kishës, duke u larguar pa gjurmë. Vjedhja u konstatua në mëngjes nga punonjësja, kur ka hyrë brenda për të pastruar.
Kisha “Metamorfoza e Shpëtimtarit” është vjedhur edhe herë të tjera, por policia në asnjë rast nuk ka mundur të gjejë autorët.