Në numrin e qershorit të “Ngjalljes”, botohej një informacion, që tregonte për dëmtimin nga disa qytetarë të huaj të një kryqi me ikonë (konizme), në fshatin Fikas, pranë Elbasanit, i banuar nga një komunitet orthodhoks. Për fat të keq, duhet t’i rikthehemi këtij fakti.
Sërish dikush, kësaj here duke mbuluar me errësirën e natës, ka thyer dhe pastaj ka përmbysur me gjithë bazament jo vetëm të njëjtin kryq, por edhe dy të tjerë, në të njëjtën zonë, të vendosur në afërsi të vendeve ku më parë kanë ekzistuar kisha orthodhokse.
Na vjen keq kur konstatojmë përsëritjen e gjesteve të tilla intolerance, që bien ndesh me traditën tonë të harmonisë dhe mirëkuptimit, të cilat frymëzohen nga mendësi që nuk i përkasin realitetit shqiptar. E vetmja mënyrë për mënjanin e tyre, eshtë kultivimi me përparësi i këtyre vlerave gjatë çdo veprimtarie dhe mësimi fetar. Jo e kundërta.
Korresp i “Ngjalljes”