EmailFacebookKontakt

Vëzhgime – Pse kaq urrejtje

Vëzhgime

Pse kaq urrejtje

Për të gjithë interneti po bëhet tashmë pjesë e jetës dhe veçanërisht e punës. Gjithmonë e më tepër ai përdoret për të komunikuar, dërguar materiale, gjetur informacione të vyera.

Një nga funksionet kryesore është informimi. Duke thyer kornizat tradicionale, ai shkon më pranë publikut, me lajme më të freskëta dhe me shumë më pak censurë. Por kjo liri që ka krijuar kaq mundësi, sjell dhe dukuri jo të këndshme, e nganjëherë të dëmshme dhe ekstreme.

Kushdo mund të postojë komentet e tij pa ndalesa, të hapë blogje e të shprehë opinione. Këtë mundësi e kanë dhe persona që në kushte normale nuk do kishin asnjë mundësi t’u hapeshin dyert e mediave për nivelin e tyre ordiner apo ekstremizmin e skajshëm.

Këtu do ndaloja te lajmet që kanë të bëjnë me komunitetin orthodhoks. Përveç komenteve pozitive apo atyre që shprehin shqetësime, që kushdo është i lirë t’i thotë, ndeshen shpesh edhe sharje, fyerje e deri kërcënime. Kjo ndodh madje edhe në ditë festash, kur njerëz anonimë nga brenda dhe më shumë nga jashtë vendit, e ndiejnë veten të lirë të shajnë besimin orthodhoks, drejtuesit e tij, e të denigrojnë të gjithë orthodhoksët e Shqipërisë e të botës. Madje të arrijnë deri atje sa t’i ftojnë që, po të mos mendojnë si ata, duhet ta lënë vendin e të shkojnë ku të duan!…

Sigurisht, askush nuk kërkon censurë e as ndërhyrje në lirinë fjalës, por nuk do ishte keq sikur moderatorët e këtyre forumeve a komenteve, që janë aq të gatshëm të heqin apo shkurtojnë gjërat që bien ndesh me vizionin e tyre politik, të tregoheshin më të kujdesshëm ndaj thirrjeve ekstremiste, që synojnë shkatërrimin e harmonisë fetare që kaq shumë e trumbetojmë.

Gjithashtu, edhe besimtarët orthodhoksë, që i ndesh çdo ditë të shumtë në sit-et e ndryshme të internetit, nuk do bënin “gabim” po të tregoheshin edhe më aktivë për të thënë mendimin dhe sjellë dëshminë e tyre të

drejtpërdrejtë. E vërteta është ekuilibruesja më e mirë e dëmeve që sjellin gënjeshtrat.