E përuli veten duke u bërë i bindur gjer në vdekje, madje në vdekje në kryq. Ndaj dhe Perëndia e lartësoi se tepërmi dhe i fall emrin që është përmbi çdo emër (Filip. 2:8-9)
Bij të shtrenjtë më Zotin,
Lartësimin e Jisu Krishtit mbi çdo gjë dhe mbi këdo festojmë sot, ndërsa po kremtojmë Ngjalljen e Tij. Me fitoren mbi armikun më të pamëshirshëm të njerëzimit, vdekjen, Ai i dha kuptim të ri dhe i hapi horizonte të reja qenies njerëzore, “ndriçoi gjithësinë”. Këtë të vërtetë tronditëse, sigurinë ngushëlluese, thekson kjo Pashkë e parë e mijëvjeçarit të ri, për të mbushur me dritë dhe shpresë jetën tonë, për të na falur fuqi dhe qëndrueshmëri.
Me Ngjalljen e Tij Krishti zë vendin më qendror dhe më të lartë brenda botës, brenda gjithësisë. Emri i Tij tashmë, duan apo nuk duan armiqtë e Tij, është emri në të cilin sintetizohet pushteti esencial për gjithçka që lëviz në hapësirë dhe në kohë. “Që në emër të Jisuit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell e në tokë dhe nën tokë” (v. 10). Nga Ai varen të gjitha.
Pushteti i Tij nuk kufizohet në një popull, në një epokë, në një gjuhë, në një rajon. “Çdo gjuhë të rrefejë se Jisu Krishti është Zot në lavdi të Atit Perëndi” (v. 11). Këtë lartësim të përbotshëm mbi gjithçka të Perëndinjeriut, shpallim ne besimtarët, duke psalur në sa më shumë gjuhë “Krishti u Ngjall!”.
“Ndaj dhe Perëndia e lartësoi së tepërmi…”. Fjala “ndaj”, lidh si një urë triumfin unikal të Krishtit brenda historisë botërore me pranimin e vullnetshëm të përulësisë dhe të sakrificës. Biri dhe Fjala e mishëruar e Perëndisë i mënjanoi pikëpamjet e deriatëhershme mbi pushtetin, mbi shpëtimin e njeriut dhe rilindjen e shoqërisë. Ai “e përuli veten me dashje, duke iu bindur lirisht vdekjes më të egër, vdekjes në kryq” (v. 8). Krishti, me pranimin e Pësimit të Tij, përuroi në botën tonë një lloj të ri pushteti: pushtetin paqësor, i cili buron nga përulësia, nga të duruarit e pësimeve për hir të të tjerëve. Kjo mbetet përherë një protestë thelbësore, paqësore, ndaj çdo forme pushteti njerëzor shtypës, që mbështetet në shfrytëzimin dhe në padrejtësinë. Ai është i vetmi pushtet që ka të drejtë ta ushtrojë Kisha.
Kjo e vërtetë duhet të përcaktojë mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit të të gjithë atyre që duan sinqerisht të jenë të Tijët, të marrin pjesë sipas Hirit në triumfin e Ngjalljes së Tij. “Le të sundojë ndër ju po ai mendim që ishte tek Jisu Krishti” (v. 5), këmbëngul Apostull Pavli. Ky mbetet elementi kritik i orientimit shpirtëror, që nuk duhet të humbasë brenda kremtimit ngazëllues. Madhështia e Ngjalljes është rrjedhoje e flijimit të vullnetshëm të Jisuit. Vetëflijimi i Tij paqësor përcakton moralin e krishterë orthodhoks. Ndaj, brenda dritës së Pashkës ftohemi të zbulojmë personalisht kuptimin dhe fuqinë e vetëmohimit sipas Krishtit.
* * *
Shpesh ndodh që disa afrohen tek Kisha duke synuar kryesisht përfitime materiale. Në shoqërinë tonë indiferente, shekullare, individualizmi dhe synimi me çdo mënyrë i interesit vetiak, ecin me shpejtësi. Në altarin e “unit” personal apo kolektiv, shpesh sakrifikohen miqësitë, vlerat, parimet, premtimet dhe detyrimet morale. Në këto kushte, Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur na kujton detyrën e vetëflijimit, mbi të cilin mbështetet si shpëtimi i shpirtit tonë ashtu dhe i shpirtit të shoqërisë. Vetëmohimi i sinqertë është gjaku që i jep fuqinë dhe vitalitetin një shoqërie të drejtësisë dhe të paqes.
Vetëmohim nuk do të thotë tërheqje pasive, për t’u bërë viktimë e arbitraritetit të njerëzve të paskrupullt. Eshtë fjala për një përzgjedhje të lirë, që frymëzohet nga dashuria. Vetëmohimi nuk gjendet vetëm në shprehjet heroike të jetës së shenjtorëve ose në shprehjet e përkushtimit të krishterë. Nuk ka të bëjë gjithnjë me rastet e jashtëzakonshme të sakrificës, por me jetën tonë të përditshme, brenda sprovave të mjedisit familjar, në kriza marrëdhëniesh, që krijojnë përgjegjësitë dhe misionet shoqërore. Jeta njerëzore është pasuruar në mënyrë të paimagjinueshme nga akte fisnike vetëflijimi të shumë njerëzve të thjeshtë, që ndofta kurrë nuk janë bërë të njohura; të nënave ndaj fëmijëve, të fëmijëve ndaj prindërve, të miqve ndaj miqve, të bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit, të njerëzve që kanë luftuar për një shoqëri më të drejtë dhe paqësore. Dhe në përgjithësi të të gjithë atyre, të cilët, duke vështruar kryqin, kryejnë detyrën e tyre të përditshme me konsekuencë e dëshirë për vetëflijim.
Vetëmohimi sipas Krishtit është një përzgjedhje e vullnetshme, një lëvizje e ndërgjegjshme çlirimi nga tendencat për jetë të rehatshme dhe ato egoiste. Njerëzit që përpiqen ta jetojnë atë, ecin duke shpërfillur frikën, lodhjen, dhimbjen, madje edhe dështimin. Atyre u mjafton se ndjekin modelin e të Dashurit. Jeta e tyre është e mbushur me thjeshtësi dhe modesti. Ajo shprehet në mënyrë spontane, pa pompozitet, pa kërkuar njohje. Eshtë e afirmuar në brendësi.
Ashtu siç ndriçohet nëpërmjet ngjarjeve të Pashkës, vetëmohimi është një fuqi e qetë, që çon, shpejt a vonë, në përmbysjen e parashikimeve dhe të rrjetave që endin interesa dhe veprime të shumëllojshme të paligjshme të Shkruesve e Farisenjve të transformuar brenda historisë të çdo kohe, të hegjemonëve dhe pretorianëve të herëpashershëm. Nuk ka asgjë të zymtë. Ajo ndriçohet nga ngazëllimi shpirtëror, rrezaton shpresë, lartëson marrëdhëniet personale e shoqërore.
Vetëmohimi sipas Krishtit përbën në çdo kohë identitetin e Orthodhoksisë dhe duhet të mbetet karakteristika bazë e saj gjatë mijëvjeçarit të tretë. Orthodhoksia, pa vetëmohim thelbësor, kur mjaftohet thjesht në himnizimin e kontributit flijues të Krishtit, ndërsa vrapon në praktikën e përditshme pas idhujve të ndryshëm – pasurisë, luksit, pushteti mondan – duke shmangur mundin dhe sakrificën, sigurisht nuk është në gjendje të bindë dhe të frymëzojë njeriun e asnjë epoke.
* * *
“Ndaj dhe Perëndia e lartësoi së tepërmi dhe i fali emrin që ështëpërmbi çdo emër”. Le ta kremtojmë Pashkën, vëllezër, në mënyrë sa më ngazëlluese. Me sigurinë absolute, se përfundimisht tek Krishti i Ngjallur së vdekurish “do të përkulin gjunjtë” të gjithë e çdo gjë. Por, njëkohësisht, le të mos harrojmë se ngazëllimi i Pashkës gufon nga përulësia e Krishtit. Shprehja më e lartë e dashurisë pa hipokrizi mbetet gjithnjë vetëflijimi i sinqertë.
Ndaj, le të forcojmë në jetën tonë dëshirën për vetëmohim, që përbën sekretin e jetës sipas Krishtit, gjakun që gjallëron një shoqëri të solidaritetit. Në veçanti këto ditë Pashke, le ta adhurojmë Atë me një shprehje konkrete vetëmohimi brenda mjedisit në të cilën lëvizim. Të gjithë kemi raste dhe mundësi për diçka të tillë. Duke përqafuar sa të mundemi më shumë frymën e vetëmohimit në jetën tonë, do t’i afrohemi më thelbësisht kuptimit dhe fuqisë së Pashkës. Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur le të na fuqizojë dhe le të na bëjë të denjë për të ecur vazhdimisht me vetëmohim të sinqertë drejt dashurisë së përsosur.
Krishti u Ngjall!
Me përqafim Pashke dashurie,
+Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Tiranë, Pashkë 2000
Shiu që ra në Tiranë pak para Shërbesës së Ngjalljes, të bënte të dyshoje se numri i besimtarëve të pranishëm mund të ishte i kufizuar. Por, ndërsa i drejtoheshe Kishës së Ungjillëzimit, e shihje veten mes dhjetëra e dhjetëra njerëzve, që me veshje festive dhe pamje të hareshme i drejtoheshin rrugës së Kavajës. Dhe, në çastin e shumëpritur, kur Kryepiskopi shqiptoi “Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon!”, shiu kishte pushuar plotësisht dhe sheshi para palkut ishte i mbushur deri sa të zinte syri, si asnjëherë tjetër…
Ishte kjo pjesëmarrje e jashtëzakonshme në shërbesat e ndryshme, lajtmotivi i të gjitha ditëve të Pashkës 2000. Një shenjë e mbarë, se puna e palodhur e Fortlumturisë së Tij, e Sinodit të Shenjtë, e gjithë klerikëve e laikëve të Kishës sonë, po jep fryte të mbara.
Këtë ecje në rrugën e duhur e dëshmoi edhe pritja e rastit, ku erdhën për të uruar Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë përfaqësues të pushtetit, partive, shoqatave, komuniteteve të tjera fetare, intelektualë orthodhoksë e personalitete të shquara, ambasadorë etj.