23 shtator 1996
Kryeredaktorit të gazetës “ILLYRIA”
Referuar artikullit: “Ndihmoni Kishën Orthodhokse të Shqipërisë dhe kombin shqiptar”, faqe 5, ILLYRIA 16-18 shtator 1996
Orthodhoksia e Gjithësishme, që nga kohët Apostolike, beson se pa një Episkop, nuk ekziston vazhdimësia në të Vetmen Kishë, të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike të krijuar nga Krishti. Si rrjedhojë, “Ku është Episkopi, aty ekziston Kisha”.
Për shkak të komunistëve, feja e organizuar në Shqipëri u shkatërrua plotësisht, duke e lënë Kishën Orthodhokse, të Përgjithshme, të Shqipërisë pa asnjë Episkop. Si rrjedhojë, “Aty ku nuk ka Episkop, nuk ekziston Kisha” dhe Shqipëria u rikthye në një terren misionarik, në të cilin episkopët nevojitej të silleshin nga jashtë Shqipërisë, për të rikonstruktuar vazhdimësinë, në të Vetmen Kishë, të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike.
Kanoni 34, të cilit i referoheni në subjektin e artikullit, duhet të jetë kanoni XXXIV i “85 kanoneve të Apostujve të Shenjtë dhe të Shquar”, i gjendur në faqen 50 të TIMONIT (Pedalion), në lidhje me të cilin nuk përmendet që “…episkopët dhe udhëheqësic e besimtarëve orthodhoksë të jenë vendas të shtetit, në të cilin kisha është vendosur…” Në të vërtetë ky formulim në subjektin e artikullit kundërshton vetveten – nuk ekzistonte asnjë kishë e vendosur në Shqipëri, përderisa nuk kishte asnjë Episkop…
Sidoqoftë, unë besoj, se sapo Kisha Orthodhokse e Përgjithshme e Shqipërisë u rikrijua Kanonikisht dhe u bë Autoqefale, Patriku i Kostandinopojës ka “shpërfillur dhe shkelur” kanonin XXXV në faqen 52 të TIMONIT, i cili ndalon “…një Episkop të kryejë dorëzime jashtë kufijve të dioqezës së tij… pa miratimin e episkopit të rajonit në fjalë.”
Kështu, unë besoj se emërimi i Kryepiskopit Anastas (Janullatos) nga Patriku i Stambollit është i drejtë, por jo ai i të tre episkopëve, qofshin ata grekë apo dhe shqiptarë. (Kujtoni Episkopin Mark Lipa, i cili ishte shqiptar?!). Çështja është kanonike: Vetëm Kryepiskopi Anastas mund të emërojë – hirotonisë episkopë për KOASH-in dhe këta episkopë mund të jenë shqiptarë ose dhe të ndonjë kombësie tjetër!!
Të gjithë artikujt në ILLYRIA, në lidhje me KOASH-in ngjajnë të jenë të interesuara me “kontrollin, pushtetin dhe influencimin” e KOASH-it nga greket, Greqia dhe / apo Patriku i Stambollit”. Por, duket se nuk ekziston kurrfarë interesimi në lidhje me kishën Romano-Katolike në Shqipëri, e cila e ka qendrën e saj të “kontrollit, pushtetit dhe influencës” në Romë, me episkopët e saj, të cilët megjithëse Shqiptarë, kanë kryer betimin për besnikëri ndaj Episkopit (Papës) së Romës dhe duhet t’i binden atij! Si rrjedhojë, a duhet që jo – Romano-Katolikët Shqiptarë të interesohen në lidhje me hierarkinë jodemokratike të Kishës Romane të përqendruar në Itali, nga e cila Shqipëria ka qenë e pushtuar, të paktën dy herë në këtë shekull?
Dhe, përderisa Autoqefalia siguron kontroll dhe pushtet tek Sinodi i KOASH-it (i cili, më duhet ta pranoj, është i përbërë nga shqiptarë), ky Sinod – jo vetëm Kryepiskopi – duhet dhe do të kontrollojë influencën e të “jashtmëve”, po aq sa dhe të të “brendshmëve”.
Victor Chacho
West Bloomfield, Michigan