Këndvështrimi orthohoks për telebingot, kazinotë dhe kumarin
Ndodh shpesh në jetë, që dëshpërimi dhe errësira mjegullojnë të ardhmen. Njerëzit harrojnë dashurinë dhe përkujdesjen e Perëndisë dhe i kthehen burimeve të tjera të shpresës dhe besimit. Kjo është një nga arsyet pse shumë prej tyre përfshihen në lojrat e fatit; videolojëra, telebingo, llotari, bingo, poker ose lojra të tjera me letra. Dhe tani një tundim tjetër shfaqet para nesh, ndërsa shteti në mënyrë zyrtare përgatitet të aprovojë hapjen e kazinove dhe vendeve të tjera si këto.
Si të krishterë orthodhoksë, ne duhet të kemi të qartë, se çfarë qëndrimi duhet mbajmë për vende të tilla dhe të pyesim vetveten, nëse pjesëmarrja në lojrat e fatit është një mënyrë për të fituar sipas pikëpamjeve tona të krishtera.
Kumari është bazuar në naivitetin dhe lakminë, të cilat janë dënuar shumë qartë nga Perëndia (Eksodi 20:17, Predikuesi 5:10, Mateu 6:19, Lluka 16:13, 1 Tim. 6:10). Të krishterët nuk duhet të kërkojnë diçka ashtu kot, që në të vërtetë do të thotë të fitosh në kurriz të të tjerëve. (Fj. Urta 15:27).
Dëshira që të përfitojmë nga të tjerët, duke luajtur kumar, në kazino ose llotari (ku përfiton vetëm fituesi, kurse të tjerët humbasin), bie në kundërshtim me mënyrën se si e vlerësojmë ne dashurinë (Fil 2:4).
Kumari na mëson të mos japim, duke sakrifikuar nga ajo që kemi, por të lakmojmë për të fituar sa më shumë.
Kazinotë, bingot, vende ku luhet poker ose vende të tjera si këto, synojnë të pasurohen nga njerëz që i tërheq kumari, i cili konsiderohet si kotësi, dobësi dhe lakmi e njerëzve për të fituar para. Kumari është një ves serioz, që ka shkatërruar jetët e sa e sa njerëzve dhe familjeve të tëra.
Gjithashtu, kur e lëmë shpresën në duart e fatit, në vend që ta vëmë në duart e Perëndisë, rrisim brenda vetes një besim që i nënshtrohet fatit, i kundërt ky me besimin e krishterë, që beson në dashurinë aktive të Perëndisë për gjthë njerëzit.
Duhet të kujtojmë gjithmonë, se lojrat e fatit në fillim na japin para që fitohen lehtë, por më pas duhet të paguajmë shumë më shtrenjtë.
Kujtoni vitet ’96 – ’97, kur kaq e kaq njerëz mendonin se do të merrnin përqindje shumë të larta për investimet që kishin bërë në firmat piramidale. Sigurisht, që e vetmja mënyrë që firma të atilla mund të jepnin para, ishte që në fillim t’i grumbullonin ato. E njëjta gjë ndodhi me kazinotë ose vendet ku luhen lojrat e fatit. Eshtë e vërtetë që pak njerëz fitojnë, por shumica dërrmuese humbasin.
Po kështu, duhet të kemi të qartë, se kur luhet para e madhe, s’ka si të mos ketë korrupsion.
Ashtu si në vitet 96 – 97, nismëtarët (partizanët e kumarit), gënjyen duke i premtuar njerëzve shpërblime të mëdha, kur realiteti tregon se shumica dërrmuese e njerëzve u larguan të humbur. Të varfërit do të varfërohen edhe më shumë.
Si të krishterë orthodhoksë, le të mos biem në tundim për të fituar para të lehta. Të mos lëmë shpresën dhe të ardhmen në diçka të shansit. Ne besojmë se Zoti ynë është një Perëndi që është i pranishëm në jetët tona ditë për ditë. Ai i sheh mundimet tona, problemet tona, dhe dëshpërimin tonë. Ai nuk do të na braktisë. Nëse Perëndia është me ne, kjo është shpresa jonë.
Le ta lëmë të ardhmen në duart e Tij dhe jo në duar të lojrave të fatit.