“VERTET U NGJALL!”
Jisui dënohet me vdekje
Dhe me të thënë këtë, doli përsëri përpara Judejve, e u tha atyre: Unë s’gjej asnjë faj tek ai. Por ju e keni zakon që unë t’ju liroj një njeri për Pashkë; doni pra, që t’ju liroj Mbretin e Judejve? Atëherë të gjithë thirrën përsëri: Jo këtë, po Barabbain! Dhe Barabbai ishte kusar.
Atëherë pra, Pilati mori Jisuin dhe e rrahu. Dhe ushtarët, si i thurën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye, e i hodhën krahëve një rrobë të kuqe. Pastaj i shkonin përpara e i thoshin: Gëzohu, o Mbret i Judejve! – dhe e qëllonin me shuplaka.
Pilati doli përsëri jashtë, e u tha atyre: Ja, po jua sjell jashtë, që ta dini se nuk gjej tek ai asnjë faj. Jisui doli, duke mbajtur kurorën me gjemba dhe mantelin e kuq. Dhe Pilati u tha atyre: Ja njeriu! Kur e panë atë kryepriftërinjtë dhe rojet, bërtitnin duke thënë: Kryqëzoje, kryqëzoje! Pilati u tha atyre: Merreni ju, dhe kryqëzojeni; se unë nuk gjej tek ai asnjë faj. Judejtë iu përgjigjën: Ne kemi ligjin, dhe sipas këtij ligji ai duhet të vdesë, sepse e ka bërë veten Bir Perëndie.
Kur dëgjoi këtë fjalë, Pilati u frikësua shumë; dhe me të hyrë në gjykatë i tha Jisuit: Nga je ti? Por Jisui nuk i dha asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: Mua nuk po më flet? A nuk e di ti se unë kam pushtet të të liroj apo të të kryqëzoj? Jisui iu përgjigj: Ti nuk do të kishe asnjë pushtet kundër meje, në qoftëse kjo nuk do të të ishte dhënë nga lart; prandaj ai që më dha në dorën tënde, ka fajin më të madh.
Që nga ai çast Pilati kërkonte ta lironte; por Judejtë bërtitnin, duke thënë: Po të lirosh këtë, s’je mik i Çezarit. Kushdo që e bën veten mbret, është kundër Çezarit. Kur dëgjoi këto fjalë Pilati pra e nxori jashtë Jisuin, dhe u ul në tribunë, në atë që quhej vend i shtruar me gurë, dhe në Hebraishte Gavvatha. Ishte pragu i Pashkës, dhe ishte rreth orës së gjashtë. Dhe ai u tha Judejve: Ja Mbreti juaj! Atëherë ata bërtitën: Hiqe, kryqëzoje! Pilati u tha atyre: Mbretin tuaj të kryqëzoj? Kryepriftërinjtë iu përgjigjën: Ne nuk kemi mbret tjetër përveç Çezarit. Atëherë ua dorëzoi atyre që ta kryqëzonin. (Joani 18: 38-40, 19: 1-16)