Rreth 30 km në lindje të Vlorës ndodhet edhe një qytet i vogël, Selenica. Banorët e këtij qyteti janë marrë kryesisht me nxjerrjen dhe përpunimin e serës. Nga Selenica mendohet se e ka prejardhjen edhe ikonografi i shquar David Selenicasi. Menjëherë pas vendosjes të tyre në këtë vend, besimtarët orthodhoksë vllehë, ngritën edhe kishën e vogël të Shën Thanasit. Ajo ka qenë shumë e bukur, pasi ka qenë e gjitha me afreske. Pas prishjes së kishës, pikturat murale rezistuan deri vonë, por duke qenë të pambrojtura nga faktorët atmosferikë, pikturat murale u prishën plotësisht.
Mrekullitë që kanë ndodhur në këtë kishë nuk janë të pakta. Shumë besimtarë që janë lutur te Shën Thanasi e kanë kërkuar ndihmën e tij e kanë marrë atë. Po ashtu, shumë të sëmurë që kanë fjetur e janë lutur në këtë kishë kanë ikur që andej të shëruar.
Në vitet e para të ringjalljes së besimit edhe kjo kishë filloi të hidhte shtat përsëri, por kësaj here më e madhe. Kryepiskopi Anastas në vizitën e parë që bëri në Selenicë bekoi edhe ndërtimin e kishës së re.
Më 13 gusht, për besimtarët ishte një ngjarje e veçantë. Qytetin e vizitoi Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe Myzeqesë, Imzot Ignati. Ai u prit nga besimtarët në qendër të qytetit dhe u shoqërua nga ata deri në kishë dhe të gjithë ndoqën Liturgjinë Hyjnore të drejtuar nga Hirësia e Tij. Me interes u dëgjua nga besimtarët dhe predikimi. Thjeshtësia e të shpjeguarit të Ungjillit nga Mitropoliti la mbresa të thella.
Gjithashtu, Hirësia e Tij u foli për domosdoshmërinë e frekuentimit të rregullt të kishës, për bashkëpunimin e mirë që duhet të kenë ata me klerikët e tyre, duke i ndihmuar ata që të kryejnë sa më mirë punën e Perëndisë.
At Spiro Bulika