EmailFacebookKontakt

Veprimtari në Mitropolinë e Beratit – Apoloni

Më 15 gusht, Mitropoliti Beratit, Hirësia e Tij Ignati, bëri Liturgjinë Hyjnore të së kremtes të Fjetjes së Shën Mërisë, në Manastirin e Apolonisë. Ai shoqërohej nga At Sokrat Lako, At Llazar Çullhai, At Nikolla Mandro dhe dhjakon Niko Bregu. Besimtarët kishin mbushur kishën nga fshatrat përreth, si nga Sopi, Shtyllasi, Kryegjati, Havaleasi, por edhe nga Fieri, Lushnja, Berati etj. Dukej sikur gjthë Myzeqeja kishte ardhur në zemrën e Shën Mërisë, kësaj zonje të virgjër, Nënës së duruar të shpëtimtarit tonë, Zotit Jisu Krisht.

Kryebariu Imzot Ignati, në ligjëratën e tij theksoi se kjo ditë s’tregon hidhërim por ngazëllim, se ajo shkoi në pavdekësi, në jetën e amshuar pranë Birit të saj për të ndërmjetuar si meshtare për të gjithë Krishtërimin. Ajo, aq sa u përkul aq dhe u lartësua më e gjerë se Qielli dhe më lart se engjëjt. Shën Mëria – vazhdoi në ligjëratën e vet Imzot Ignati – është pasqyrë ku secili duhet të shikojë shpirtin dhe të ballafaqojë atë me të tijën. Ajo është një model i nënës së përulur, së virgjër, e durimit ndaj dhe u lavdërua dhe u nderua sa askush tjetër. Mesazhi i kësaj dite është që Shën Mëria të mbetet në zemrat e besimtarëve ikonë e pastërtisë, përulësisë dhe besës.

Pas mbarimit të Liturgjisë, Imzot Ignati u njoh me historikun e zonës dhe me vlerat e mëdha të kulturës që mbart kjo trevë, si dëshmi e një thesari, sa shpirtëror dhe material, që kemi trashëguar nga të parët tanë.

Hirësia e Tij porosit që të ruhen këto vlera të kulturës kombëtare dhe të mos lejohet që të dëmtohen e të shëmtohen. Ato janë biografia, nderi i kombit. Brezat që do të vinë do ta quajnë mëkat pakujdesinë. Në vizitën në mjediset e Manastirit e ato arkeologjike, Imzot Ignati shoqërohej nga drejtori i muzeut V. Dine.