EmailFacebookKontakt

Veprimtari me priftëreshat dhe dhiakoneshat

Këtë verë, me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Anastas, u kryen aktivitetet e para për priftëreshat e dhiakoneshat. Ato ishin një shembull praktik i punës së njerëzve orthodhoksë nga katër vende, shqiptarë, finlandezë, grekë, amerikanë… për të rritur besimin orthodhoks.

Motra Galini murgeshë nga manastiri i Shën Joan Pagëzorit në Kareas Athinë, së bashku me priftëreshën Fotini Veroni dhe priftëreshën Urani Rici, të dyja nga Amerika, organizuan këto takime. Ne gjithashtu patëm një bekim duke patur midis nesh priftëreshën nga Kisha Orthodhokse e Finlandës, Paivi Kalasa.

Temat për të dy takimet e zhvilluara ishin të njëjta. Ato ishin thesaret e orthodhoksisë, Shën Maria, Liturgjia Hyjnore, Kreshmë, Martesë, të qenit mire dhe rritja e fëmijëve orthodhoksë, roli i priftëreshës; priftëresha dhe familja e saj, priftëreshat në Finlandë, si dhe përgatitja e prosforës.

Çdo ditë ishte e mbushur me mësime, lutje, diskutime, bashkëpunime, qeshje, adhurime si dhe të mësuarit më shumë për Kishën tonë e njëri-tjetrin.

Takimi me priftëreshat dhe dhiakoneshat e Dioqezës së Korçës u bë në Mitropoli nga 16-18 korrik. Mbasdite pjesëmarrëset vizituan kisha dhe manastire të ndryshme. Çdo mbrëmje ato ktheheshin në shtëpitë e fshatrat e tyre. Çdo mëngjes fillonte në lutje dhe në festën e Shën Marines, 17 qershor, ne patëm gëzimin e festimit të gjithë së bashku Liturgjinë.

Në dioqezën e Beratit, në fshatin Skrofotinë, u mbajt takimi tjetër, 1-3 gusht. Priftëreshat e dhiakoneshat e kësaj dioqeze qëndruan për 3 ditë në vendin ku ngrihet Kisha e Shën Parashqevisë, në të njëjtat mjedise me kushte bashkëkohore ku u zhvillua kampingu i vajzave orthodhokse. Ditët ishin të mbushura me lutje dhe mësime, pasditet me gjëra praktike, si bërja e prosforës. Në ditën e fundit kremtuan Metamorfozën e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Iisu Krisht, me një Liturgji në Kishën e re.

Korresp. i “Ngjalljes”