51 vjet më parë u krye dorëzimi i Kryepiskopit Anastas në gradën episkopale. Më 19 nëntor 1972, Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë zgjodhi me vota unanime Profesorin e Historisë së Feve të Universitetit të Athinës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, Arkimandritin Anastas Janullatos si Episkop Titullar, me titullin e “Episkopatës dikur të shkëlqyeshme të Andrusës”.
Me këtë rast, ditën e diel, më 19 nëntor 2023, në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u kremtua Liturgjia Hyjnore. Ajo u krye nga Kryepiskopi Anastas, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollën; të Elbasanit, Hirësi Andonin; të Amantias, Hirësi Nathanailin; Episkopin e Bylisit, Hirësi Astin dhe klerikë të tjerë.
Në emër të klerit dhe besimtarëve Kryepiskopin Anastas e uroi Hirësi Nikolla dhe në fund Fortlumturia e Tij falënderoi për urimet e ngrohta.
Pas Liturgjisë Hyjnore, festimi u zhvendos në amfiteatrin e Qendrës Kulturore të Katedrales, ku u mblodhën besimtarë, punonjës të institucioneve të Kishës, por mbi të gjitha nxënës dhe mësues nga të gjitha shkollat e ngritura nga Kryepiskopi Anastas, pjesë të Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, të cilët kishin përgatitur një shfaqje artistike festive. Në çeljen e programit, drejtori i këtij fondacioni, z.Andrea Rëmbeci, foli për kontributin e madh të Fortlumturisë së Tij para ardhjes në Shqipëri. Veprimtaria vazhdoi me një dokumentar të shkurtër përmbledhës për veprën e Kryepiskopit Anastas.
Më pas filloi shfaqja, me një këngë nga fëmijët e kopshtit “Protagonistët”, e cila vazhdoi me programin e përgatitur nga nxënësit e kësaj shkollë. Me radhë në skenë u ngjitën nxënësit e shkollave të Durrësit, Korçës, Mesopotamit, Gjirokastrës dhe të Kolegjit Universitar “Logos”. Ato u shoqëruan edhe me urime e falënderime të të rinjve për kontributin kolosal të Kryepiskopit në të gjithë veprën rijetësuese të Kishës sonë.
Në fund, në skenë u ngjit Kryepiskopi Anastas, i cili falënderoi për urimet e ngrohta dhe emocionet që dhuruan fëmijët dhe të rinjtë. Në kuadër të shprehjes së mirënjohjes përmendi edhe disa nga dhurimet që i janë bërë Kishës së fundmi, si kisha në ndërtim e Shën Prokopit, Rezonanca Magnetike, Skaneri dhe farmacia në Qendrën Diagnostike “Ungjillëzimi”, duke theksuar se çdo përvjetor duhet të jetë një hap i ri, për të bërë më shumë për Kishën.
Korresp. i “Ngjallja”