17-19 shkurt
Veprimtari e Lidhjes së Rinisë Orthodhokse
Nga data 17 deri më 19 shkurt, në mjediset e Kishës së Ungjillëzimit dhe asaj të Shën Prokopit u zhvillua një seminar 3 ditor, me dy të ftuar, miq nga Greqia. Veprimtaria u organizua me nismën nga Lidhja Rinore Orthodhokse “Bij të Dritës”.
Në skemën e aktivitetit të kësaj lidhjeje hyjnë mjaft veprimtari, ku vendin kryesor e zënë mësimet e katekizmit, si në qytet ashtu edhe me grupe nëpër fshatra e qytete ku ende nuk ka kisha. Gjithashtu janë organizuar edhe seminare tematike, ekskursione në vendet të shenjta etj., dhe synohet që në të ardhmen e gjithë kjo punë të njohë një hop cilësor duke përfshirë gjithmonë e më shumë të rinj orthodhoksë nga të gjitha dioqezat.
Në programin e ditës së parë që u zhvillua në Kishën e Ungjillëzimit, të enjten 17 shkurt, ishin takime njohjeje me mjekët e nderuar Prof. Janis Papazaho, mjek kardiolog dhe Prof. Athanas Karkarya, mjek neuro-psikiatër, takim që u shoqërua edhe me shfaqje diapozitivash dhe me pyetje nga të pranishmit.
Programi i ditës së dytë, që u zhvillua në mjediset e kishës së Shën Prokopit u referua nga të dy mjekët e nderuar rreth temave që prekin probleme mjekësore, shpirtërore, e shoqërore, si komunikimi, stresi, frika, pasiguria etj., dhe mënyrat për kurimin e tyre, të paisura me diskutime e takime të lira me pjesëmarrësit.
Dita e tretë filloi me Liturgjinë Hyjnore, për të vazhduar sërish me referate e diskutime. Më gjerë me këtë veprimtari do t’ju njohim në numrin e ardhshëm të gazetës sonë.
Korresp. i “Ngjalljes”