EmailFacebookKontakt

Veprimtari e Lidhjes së Rinisë Orthodhokse

Tashmë, organizata e të rinjve orthodhoksë “Bij të Dritës” po kristalizohet si një organizatë me një veprimtari të gjerë përsa i përket katekizmit, jo vetëm me fëmijët e të rinjtë brenda qytetit, por dhe në fshatra të ndryshme, e bashkëpunimit me organizata të tjera homologe etj. Pjesë e kësaj veprimtarie të gjerë ishte dhe nisma për organizimin e një seminari tri-ditor, nga data 17-19 shkurt, me pjesëmarrjen e mjekut kardiolog Jorgo Papazaho dhe neuro-psikologut Athanas Karkanja, që të dy pedagogë në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Athinës. E veçanta ishte se në të nuk do të trajtoheshin thjesht probleme në planin mjeksor por në dritën e një lidhjeje të brendshme të këtyre problemeve në planin trupor me ato në planin shpirtëror e të besimit të njeriut. Vetë prologu i këtij seminari, me shfaqje diapozitivash nga qyteti i Jerusalemit apo Varri i Tërëshenjtës Mari, qe një prezantim i të ftuarve në radhë të parë, si besimtarë të krishterë orthodhoksë.

Me pjesëmarrjen e mjaft të rinjve, anëtarë të organizatës “Bij të Dritës” u zhvillua dita e dytë e seminarit, në qendrën e tyre pranë Kishës së Shën Prokopit. Pas lutjeve të mëngjesit u vazhdua me referatet e përgatitura nga mjekët. Vendin kryesor në referatin e tij mjeku Jorgo Papazaho ia kushtoi sëmundjeve, të zemrës duke u ndalur kryesisht në faktorët që stimulojnë zhvillimin e këtyre sëmundjeve, ku veçoi duhanin, alkoolin e narkotikët e ndryshëm. Në pamje të parë të krijohet përshtypja e prekjes së temave tashmë të njohura, por mënyra se si u trajtuan, shoqërimi me diapozitivë dhe këndvështrimi në të cilin u pa e arsyeshme të diskutoheshin këto çështje i dha shkas zhvillimit të mjaft diskutimeve.

“Njeriu përbëhet nga trupi e shpirti, – theksoi kardiologu. – Ashtu si në trupin e njeriut ka nerva që duken, ekzistojnë dhe ato të padukshmet, që janë “nervat” shpirtërore. Dhe jo rrallë prishja e ekuilibrit të njërit grup ndikon në grupin tjetër. E kemi të lehtë të evidentojmë sëmundjet trupore, por po aq vështirë e arrijmë këtë për sëmundjet shpirtërore”.

Mjeku neuro-psikiatër Athanas Karkanja referatin e tij e përqëndroi në diskutimin mbi tema të tilla si komunikimi, stresi, frika, pasiguria për të ardhmen, tema këto që kapën probleme mjekësore e shpirtërore aq të përhapura tek të rinjtë. Boshtin e tërë referatit e përbënte periudha ku çdo të riu i duhet të përcaktojë qëllimin e jetës së tij pasi “Të jetosh pa qëllim jetën tënde, – theksoi psikologu, – është veç një lloj vetehelmimi psikologjik. Ndër pyetjet mbi faktorët që ndikojnë në këtë zgjedhje, apo ato që pengojnë realizimin e qëllimit të jetës, përgjigjet e të cilave u dhanë në prizmin psikologjik e fetar, u arrit në konkluzionin se veç këtyre, në një gjendje ankthi e frike çon dhe një lloj pasigurie nëse zgjedhja e qëllimit të jetës sonë është shprehje e vullnetit të Perëndisë. Dhe është ky besim në drejtësinë e vullnetit të Perëndisë, që na lejon evitimin e mjaft problemeve shpirtërore, gjë që është e pamundur për t’u bërë nga mjekësia me tërë mjetet e mënyrat që ajo disponon.

Veprimtaritë e ditës së tretë të Seminarit u zhvilluan në mjediset e Kishës së Ungjillëzimit. Pas Liturgjisë Hyjnore të zhvilluar këtu mjekët patën diskutime të gjera me besimtarë orthodhoksë të Tiranës, që kishin mbushur kishën. Po këtë ditë mjeku kardiolog Jorgo Papazaho, ishte i ftuar në një seminar që u zhvillua në Fakultetin e Mjekësisë, ku referoi mbi “Përgatitjen e një teme shkencore”.

Në fund, mund të thonim se mesazhi që përcolli ky seminar, në fund të tri ditëve me veprimtari intensive ishte: “Jo dhe ca vite më shumë për të qëndruar në këtë tokë, por ca vite kohë më tepër për t’u penduar”.

Kristina Hanxhari