EmailFacebookKontakt

Veprimtari dhe nisma të shumta nga të rinjtë orthodhoksë

Veprimtari dhe nisma të shumta
nga të rinjtë orthodhoksë

Koordinatorë, katekistë dhe bashkëpunëtorë të Rinisë Orthodhokse dhe Katekizmit të Mitropolive të Tiranës, Beratit, Korçës, studentë të Qendrës Studentore të Tiranës dhe studentë të Akademisë Teologjike të Shën Vlashit në bashkëpunim me Zyrën “Diakonia Agapes”, në kuadër të projektit “Të rinjtë, duke punuar së bashku për një të ardhme më të mirë”, realizuan gjatë muajve tetor-dhjetor 2012 trajnime disaditore me tema: “Rritja e fondeve”, “Mjedisi, shtëpia jonë e përbashkët” dhe “Ndihma ndaj komunitetit”, që u financuan nga Heks (Zvicër), Churches Helping Churches (Gjermani) dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

Vargjet e marra nga Bibla “Secili le të veprojë siç ka vendosur në zemër, as me keqardhje e as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do dhurues të gëzuar”, shërbyen si udhërrëfyes gjatë këtyre trajnimeve, për ndërgjegjësimin e mëtejshëm mbi rëndësinë e të ofruarit dhe të dhuruarit, të punës vullnetare si dhe të gjetjes së burimeve financiare. Këto takime u shoqëruan nga referime, biseda, shembuj konkretë, reflektime, shkëmbim idesh dhe planifikime. Nga referencat më të shpeshta në këto trajnime ishin: “Për të pasur rezultate sa më të mira nevojitet bashkëpunim si një

trup i vetëm dhe kështu mund të jemi anëtarë aktivë në komunitet”, “Njeri-tjetrit t’i shërbejmë me respekt dhe dashuri, pa paragjykime, pa dallime, ashtu si Zoti na deshi dhe na shërbeu vetë i pari”, si edhe katër shtyllat e Lidhjes Rinore Orthodhokse “Bijtë e Dritës”: rritja me Krishtin, miqësia, dëshmia dhe shërbimi. Pjesëmarrësit e trajnuar u angazhuan edhe përtej vetes së tyre, duke marrë përsipër përgjegjësinë e transmetimit të këtyre përvojave dhe organizimit të iniciativave përkatëse te të rinjtë e famullive (enorive) të tyre me anë të programit “Pear to Pear” (Të rinjtë për të rinjtë).

Për të konkretizuar njohuritë e marra nga trajnimet, të rinjtë e dioqezave në vazhdim, nën drejtimin e koordinatorëve të tyre, hartuan disa projekte-ide që i shndërruan në iniciativa konkrete me mbështetjen financiare dhe mbikëqyrjen organizative të “Diakonia Agapes” dhe me synimin që të rinjtë të mund të jenë pjesë aktive në komunitetet e mitropolive të tyre përkatëse.

Në numrin e ardhshëm do ju njohim më gjerësisht me disa nga veprimtaritë konkrete të zhvilluara nga të rinjtë orthodhoksë.