EmailFacebookKontakt

Veprime që nuk i shërbejnë paqes e mirëkuptimit ndërfetar

Gazeta “RD” e datë 11.11.1992 jepte një lajm me titull “Dënohet një promemorie sekrete e Janullatosit”, sipas të cilit kryetari i Komunitetit Islamik të Shqipërisë, Hafiz Sabri Koçi akuzon KOASH dhe Kryepiskopin e saj Anastas për gjoja nxjerrjen e një qarkoreje “sekrete” me Nr. 333 (botuar në vend të kryeartikullit edhe në gazetën “Drita Islame”, Nr.22, të nëntorit 1992, me shënimin: “A pajtohet kjo qarkore ogurzezë me frymën e bisedimeve të përfaqësuesve të të tri besimeve dhe me përpjekjet që bëhen për bashkimin e vëllazërimin e kombit shqiptar në ditët e bardha të demokracisë!”

Për të marrë vesh të vërtetën u drejtuam në Këshillin e Përgjithshëm të KOASH, ku na thanë:

Për “ekzistencën” e së ashtuquajturës qarkore “sekrete” Nr.333, morën vesh për herë të parë nëpërmjet gazetës “RD”. Asnjë qarkore e tillë nuk ka dalë nga zyrat tona dhe nga funksionarët tanë, as njihet dhe as është firmosur ndonjëherë nga Kryepiskopi Anastas. Por nenukna habitin sajimet të tilla. Ato janë në vazhdën e luftës së pandërprerë, të shpallur e të pashpallur, që po bëhet kundër Kishës sonë nga persona të papërgjegjshëm. Persona të tillë kërkojnë të implikojnë në këtë luftë edhe personalitetet më të larta fetare, siç ndodh në rastin në fjalë, me gënjeshtra e mashtrime. Kështu ata kërkojnë të ndjellin përçarje midis komuniteteve fetare e ta kthejnë Shqipërinë në një vatër të nxehtë.

Ne nuk bëjmë propagandë të drejtuar nominalisht kundër asnjë feje a besimi tjetër. Çështja e besimit është çështje individuale, për çka kemi pranuar edhe Kartën e Helsinkit dhe aktet e tjera ndërkombëtare. Ne nuk detyrojmë dhe as shtyjmë njeri me premtime, para, dhurata apo emigracion për t’u konvertuar në orthodhoksë dhe as ndalojmë njeri për të përqafuar e besuar.