EmailFacebookKontakt

Veprat e gojartit – krisostomit

Ishte 14 shtator 407 kur Shën Joan Gojarti fjeti në Komana të Pontit, rrugës për në vendin e internimit. Armiqtë e Kishës së Krishtit dhe e shenjtorëve të tij, u duk sikur fituan. Por “dyert të hadhit nuk do ta prekin atë,” sepse Shën Joani, ekziston përherë si personalitet i madh dhe vepra e tij do të qëndrojë gjithmonë kundër mëkatit dhe së keqes, dhe do të bëhet dritë në botë.

E gjithë vepra e Joan Gojartit, e madhe në vëllim sa dhe në vlerë, përfshihet në 18 vëllime të Patrologjisë Greke të Migne, të botimit bazë që kemi parasysh, nga i cili marrim të dhënat.

Vëllimet e Patrologjisë të Migne nr. 47 deri 64, përmbajnë veprat e Gojartit në tekstin greqisht dhe në përkthimin latinisht, hyrje, komente, tabela etj., në lidhje me të.

Teksti në greqisht është në rreth 9.400 kolona, d.m.th. në 4.700 faqe dy shtyllash. Nga këto, 3.860 faqe cilësohen si vepra origjinale të Gojartit, 250 faqe në mëdyshje dhe 590 të pasigurta.

Në total, ekzistojnë rreth 1.130 vepra origjinale dhe 70 të dyshuara, të cilat i ndajmë në kategori për sa i përket përmbajtjes së tyre:

1-Etike dhe Sociale 46
2-Të ditës 38
3-Lavdëruese 46
4-Panegjirike-kremtuese 16
5-Asketike-Priftërore 23
6-Dogmatike-Antiheretike 22
7-Interpretuese 720
8-Letra 246
9-Pjesëza-Të ndryshme 43

Gojarti ka shkruar, gjithashtu, Liturgjinë e njohur dhe urata të ndryshme liturgjike.

Gojartit i njihen vepra, sidomos fjalime, për të cilat kritika i mbështet se nuk janë të tijat. Por, sidoqoftë, shumë prej tyre mund të jenë ndoshta origjinale. Të kësaj kategorie janë 270 vepra.

Interpretueset, siç duket më sipër, janë më të shumtat. Përbëjnë 7/10 e të gjithë veprës së Gojartit, por nuk janë interpretime të thjeshta. Interpretojnë sigurisht pothuaj të gjithë librat e Dhiatës së Vjetër dhe të Re, por janë vepra me përmbajtje kryesisht etike e sociale, dikur kremtues ose lavdërues dhe rrallë dogmatike.

Ndarja e mësipërme nuk është absolute, sepse në veprat etike p.sh. ekzistojnë elemente dogmatike, apologjete, ashtu si në dogmatiket, edhe elemente interpretuese, etike etj.

Përktheu Arkimandrit Kozma Prifti