EmailFacebookKontakt

Vepra sociale e Kishës Orthodhokse

Strehohet në ambientet e Manastirit të hirshëm e të ri të Shën Vlashit, pranë Durrësit. U hap në vitin 2003, si nismë dhe përpjekje e Kryepiskopit, Fortlumturisë së Tij, Anastasit, për të mbledhur dhe strehuar fëmijë të cilët do të gjenin shpresën, dashurinë dhe kurajën për të ardhmen.

Që nga viti 2003 deri më sot, pranë Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës, sipas Regjistrit themelor të saj, kanë marrë shërbim 63 fëmijë; 31-djem dhe 32-vajza.

Shtëpia funksionon si familje, ku aktualisht jetojnë 21 fëmijë, të cilët frekuentojnë arsimin 9-vjeçar pranë shkollës jopublike “Frymë Dashurie”, Durrës, si dhe shkollat e arsimit të mesëm dhe të lartë të Kishës. Stafi përbëhet nga 10 persona profesionistë të dedikuar. Për ecurinë e kësaj shtëpie shpenzohet një shumë prej 1 milion lekë në muaj.

Shtëpia për të moshuarit “Familja e Dashurisë, Hyjlindësja Mari”

“Familja e Dashurisë, Hyjlindësja Mari” u hap më 19 mars 2018, me iniciativën dhe dëshirën e Kryepiskopit Anastas, për të krijuar mundësi reale për njerëzit e moshuar, të shtresave në nevojë.

Kjo rezidencë ndodhet në ambientet e Qendrës “Thavor”, në Shkozë, Tiranë. Atje strehohen 16 të moshuar dhe aktualisht marrin shërbim 24-orësh 11 persona. Shpenzimet e qendrës shkojnë në 650.000 lekë në muaj.

Zyra e Grave dhe ndihma sociale e Kryepiskopatës

Lidhja e Grave Orthodhokse filloi veprimtarinë e saj në vitin 1992, me hapjen e Kishës. Sot kontribuojnë mbi 50 gra. Puna kryesore e tyre është shpërndarja e ushqimeve, veshjeve dhe mbështetja ekonomike e familjeve në nevojë. Pjesë e aktiviteteve janë edhe vizitat në institucione shtetërore sociale.

Zyra sociale e Kryepiskopatës së Tiranës jep çdo muaj ndihmë monetare për mbi 100 familje, veshmbathje, ushqime, pagesa ilaçesh, bursa etj. Shuma për çdo muaj shkon në 350.000 lekë.

Mensa “Shërbimi i Dashurisë”, Kryepiskopata e Tiranës

Më 18 janar 2005, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, u hap në Tiranë mensa “Shërbimi i Dashurisë”, e para e këtij lloji themeluar nga një komunitet fetar. Nisi me 50 racione në tre ditë të javës, kurse sot ofron ushqim për 300 persona në nevojë, 6 ditë të javës, nga e hëna në të shtunën.

Fondet dhe mbështetja financiare për ecurinë e saj, sigurohen nga komuniteti i besimtarëve, biznese dhe kompani të ndryshme. Gjithashtu, shumë njerëz ofrojnë dhe shërbim vullnetar pranë saj. Mensa qëndroi e hapur edhe gjatë dy viteve të pandemisë.

Kostoja mujore e shpenzimeve shkon në 700.000 lekë.

Mensa të tjera funksionojnë edhe në mitropolitë:

Në Mitropolinë e Korçës, me fronëzimin e Mitropolitit Joan, në vitin 1998, u hap mensa sociale për njerëzit në nevojë. Kjo mensë funksionon prej 24 vjetësh. Ofron 130 racione për 5 ditë në javë, kurse të shtunën jepet ushqim me vete. Kostoja arrin 400.000 lekë në muaj.

Në Mitropolinë e Beratit, me iniciativën e Mitropolitit të Beratit, Hirësi Ignatit, u hap në vitin 2010 mensa “Shën Joan Përdëllimtari”. Filloi me 20 racione, kurse sot ofron 200 racione, dy herë në javë. Kostoja mujore për të shkon në 70.000 lekë.

Në Mitropolinë e Gjirokastrës, me mbështetjen e Mitropolitit, Hirësisë së Tij, Dhimitër, u hap në vitin 2016 mensa sociale, e cila shërben 100 racione një herë në javë, çdo të shtunë. Gjithashtu, 100 pako me ushqime shpërndahen çdo muaj dhe 20 familje marrin ndihmë ekonomike.

Në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit, me përkujdesjen e Hirësi Nikollës, shpërndahen çdo muaj rreth 25 pako me ushqime për familjet në nevojë. Ndërsa për festat e mëdha, të Krishtlindjes dhe Pashkës, ndahen rreth 100-120 pako ushqimore.

Në Mitropolinë e Elbasanit bëhet një përpjekje e vazhdueshme për të shpëndarë dy herë në vit pako ushqimore. Në qytetin e Gramshit, me nismën e atë Grigor Pelushit dhe mbështetjen e Mitropolitit Andon, funksionon prej disa vitesh mensa sociale, që ofron ushqim 2 herë në javë. Gjithashtu u ndërtua një shtëpi e re nga themelet për një familje të madhe, me shumë fëmijë dhe u restauruan disa të tjera. Nisma e fundit ishte mbështetja e 12 familjeve duke iu dhuruar shpendë e bagëti.