EmailFacebookKontakt

Vëndoset mozaiku i Shën Gjergjit në hyrje të Katedrales së re

Fier

Së fundi, çdokujt që kalon pranë Katedrales së re të Fierit, që është në përfundim të punimeve, i tërheq vëmendjen mbi portën e saj një mozaik. Ai paraqet Shën Gjergjin, të cilit i dedikohet kisha, hypur mbi kalë, duke vrarë kuçedrën. Ai është realizuar nga Z. Eduard Sinaj, të cilit iu drejtuam për të ditur mësuar më shumë për këtë veprimtari të re të Kishës sonë:

– Z. Eduard, që kur ka filluar ky aktivitet dhe deri ku është arritur?

Në vitin 1998, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, pranë studios së ikonografisë do të hidhte hapat e para edhe realizimi i mozaikëve. Për këtë tregoi një kujdes të veçantë edhe At Theologu, i cili e ndoqi çdo gjë hap pas hapi. Puna ime e parë ishte dy mozaikë dyshemeje, në formë rozete, sipas modeleve të mozaikëve të Apolonisë. Ato kishin përmasa 1.3 x 1.3 m dhe u vendosën në kishat e Agimit e Bestrovës. Më pas u vazhdua me kishat e reja të Kuçovës e Elbasanit. Vështirësitë u rritën, pasi edhe mozaikët ishin më të komplikuara, sipas modeleve të bazilikës së Butrintit. Më pas erdhi realizimi i dy mozaikëve për Kishën e Vrakës. Njëri ishte si ornament për dyshemenë, ndërsa tjetri, për herë të parë, u vendos në hyrje të kishës dhe paraqiste Trininë e Shenjtë. Kështu nisi edhe puna me muralet, për realizimin e të cilave u interesua dhe u kujdes drejtpërdrejt Fortlumturia e Tij Anastasi. Pas tyre u realizua edhe një mozaik në formë rrethore, me temën e Ungjillëzimit, që u vendos në pjesën ballore të Kishës së Tiranës.

– Po mozaiku i Fierit?

– Ai ishte mjaft më i vështirë, pasi përmasat ishin të konsiderueshme, 3.7 x 2.5 metra. U deshën 5 muaj punë për ta realizuar, që nga projektet e deri tek vendosja në kishë. Punova me përkushtim shpirtëror, por ndjeja edhe një obligim, pasi një pjesë e origjinës sime është nga ky qytet. Të nxiste edhe interesimi i besimtarëve, të cilët të përmendnin ikonën e madhe të Shën Gjergjit që kishte ekzistuar para shkatërrimit dhe e shihnin mozaikun si një rikthim.

– Diçka me shumë për ueten, si iu kushtuat realizimit të mozaikëve?

– Pasi mbarova Liceun artistik, fillova punë në Qendrën e realizimit të veprave të artit, ku pata fatin të mësoja nga mjeshtrat e mozaikut Agim Nebiu e Josif Droboniku. Aty m’u dha mundësia të merrja pjesë në realizimin e mozaikëve në gjithë vendin. Në fillim të viteve ’90 punova me një mjeshtër italian që erdhi në Shqipëri e më pas m’u dha rasti të specializohesha për 6 muaj në Itali, ku fitova mjaft nga ana profesionale. Pas kësaj filloi bashkëpunimi me Kishën tonë.

– Cilat janë projektet për të ardhmen?

– Ka projekte të ndryshme, që mendohet të realizohen. Kështu p.sh. është parashikuar që në hyrje të katedrales së re të Durrësit të relizohet e vendoset një mozaik i Shën Astit etj.