Më 25 janar 2025, pas lajmit të hidhur të jetëndërrimit të Kryepiskopit të ndjerë Anastas, Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme.
Në këtë seancë, Sinodi shprehu dhimbjen e thellë për fjetjen në Zotin të Atit dhe Kryebariut tonë, Imzot Anastasit. Gjithashtu, Sinodi i Shenjtë mori këto vendime:
1. Zgjedhjen e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, si Mbikqyrës (Locum Tenens) të Fronit Kryepiskopal.
2. Shpalljen e zisë kishtare për pesë ditë, nga datat 25 – 29 janar 2025.
3. Pritja e trupit të Kryepiskopit të ndjerë do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, të martën, datë 28 janar, ora 16:00. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën, më datë 29 janar 2025.
4. Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, më datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.
Në përfundim të seancës, Sinodi i Shenjtë kreu një Shërbesë Përshpirtjeje dhe, njëkohësisht, ftoi të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për prehjen e shpirtit të Atit dhe Kyebariut tonë, Kryepiskopit të ndjerë Imzot Anastasit.
Sekretariati
Mitropoliti i Amantias
† Nathanaili
Tiranë, më 25 janar 2025
Pas fjetjes më Zotin të Kryepiskopit Anastas, trupi i tij qëndroi në katedralen mitropolitane “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Athinë, më 26 janar 2025. Pas Liturgjisë Hyjnore solemne, u mbajt për të një Shërbesë Përshpirtjeje nga Kryepiskopi i Greqisë, Fortlumturia e Tij, z. Jeronim, me pjesëmarrje të gjerë të krerëve të qeverisë, pushtetit lokal, personaliteteve të shumtë dhe qindra besimtarëve. Kisha jonë u përfaqësua nga Mitropoliti i Apollonisë, Hirësi Nikolla, Episkopi i Krujës, Hirësi Anastasi, Protopresviter atë Spiro Topanxha dhe Ikonom i Madh atë Harallamb Gjoka, të cilët mbajtën edhe një Shërbesë Përshpirtjeje atje, në gjuhën shqipe. Pas shërbesës, vijuan homazhe të shumta përgjatë gjithë ditës, ku qindra shpresëtarë u rreshtuan për t’i dhënë përshëndetjen e fundit Hierarkut tonë.