EmailFacebookKontakt

Vendi i Hyjlindëses së Tërëshenjtë në besimin Orthodhoks

E Tërëshenjta Hyjlindëse, sipas himnografëve dhe Etërve të Shenjtë të Kishës, gjendet më lart se Engjëjt dhe gjithë shenjtorët. Eshtë mbretëresha e gjithë Engjëjve dhe zonjusha e gjithë botës. Eshtë nëna e Perëndisë, ashtu siç e paraqesin edhe ikonografët e Kishës sonë.

Ndër zhvillimet agjiologjike në shekujt e parë nuk ka vend parësor. Por, që nga Sinodi i 3-të Ekumenik (Efes 431) dhe Sinodi i 4-t Ekumenik (Halkidona 451) nderimi i Hyjlindëses nga ana e Kishës bëhet dogmë zyrtare dhe njihet si nëna e Perëndisë dhe ngrihet më lart se engjëjt. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shërbesa të tjera psallim: “Ti meriton me të vërtetë të të lumërojmë Ty, Hyjlindëses, gjithmonë të lumurën dhe të përmbikulluarën dhe Mëmën e Perëndisë tend. Më të nderuarën se keruvimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim se serafimet, që pa u cënuar linde Fjalën Perëndi, me të vërtetë Hyjlindësen, ty të madhërojmë.”

Etërit e Shenjtë e vendosin Hyjlindësen në vendin e dytë mbas Trinisë së Shenjtë.

Në himnografitë kushtuar Hyjlindëses gjejmë livadhin e pafund të mbushur gjithë gjelbërim, me të cilat besimi dhe shprestaria e të krishterëve e kurorëzojnë të Tërëshenjtën dhe ngrenë në më të lartat emrin e saj, duke kërkuar mbrojtjen dhe ndërmjetimet e Saj për shpëtimin e shpirtit.

Hyjlindësja paralajmërohet në Shkrimin e Shenjtë me anë të profetëve. Në Dhiatën e Vjetër, tek Gjeneza 3.15 lexojmë profecinë e parë, ku bëhet fjalë për ndeshjen e të Tërëshenjtës me djallin:

“Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj, fara e saj do të shtypë kokën tënde.” Në profetin Isaia 7.14: “Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajë Emanuil.” “Virgjëresha” këtu nënkupton Shën Marinë, që u mbars nga frymë e shenjtëruar dhe e virgjër lindi Krishtin.

Nëpër tekstet e Etërve të Shenjtë e veçanërisht, në himnografinë kishtare kemi shumë shembuj që e kanë burimin tek Dhiata e Vjetër: p.sh. Hyjlindësja është Parajsa: ashtu si nga dheu i parajsës u krijua Adami, kështu edhe nga trupi i pacënuar i Hyjlindëses u krijua Krishti, “Adami i ri”. Eva është nëna e mëkatit, ndërsa Hyjlindësja është nëna e jetës. Eva u krijua nga brinja e Adamit, ndërsa Hyjlindësja i dha shpatullën e saj “Adamit të ri” Krishtit. Eva trashëgoi trishtimin e mallkimin, ndërsa Shën Maria gëzimin dhe bekimin. Hyjlindësja është shkalla e Jakovit, me të cilën Perëndia zbriti në tokë dhe me ndihmën e Tij njerëzit ngjiten si engjëj në qiell.

Në Dhiatën e Re, në Ungjillin sipas Llukait (1.46-55), Shën Maria lavdëron Perëndinë, duke thurrur hymne shumë të bukura, të cilat i themi në shërbesën e Mëngjesit:

“Shpirti im madhëron Zotin dhe mendja ime u ngazëllua për Perëndinë, Shpëtimtarin tim. Se hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së tij, se ja që tani e tutje gjithë brezat do të më lumërojnë. Se tek unë bëri vepra madhështore i fuqishmi dhe i shenjtë është emri i tij: dhe përdëllimi i tij do të jetë brez pas brezi për ata që ia kanë frikën…”

Me përhapjen e monakizmit Virgjëra Shën Mari bëhet mbrojtësja e murgjëve. Shumë manastire ngrenë kisha në emrin e saj, ndërsa murgjërit e Malit të Shenjtë do ta kenë si mbulojë dhe mbrojtësen e tyre, ndaj edhe quhet “kopshti i Virgjëreshës” ose “Fortesa e të Tërëshenjtës”. Kisha jonë që nga shekulli i 4-të ka përcaktuar shumë festa kushtuar Hyjlindëses në kalendarin kishtar.

– Të zënët e Shën Anës, nënës së Hyjlindëses, më 9 dhjetor
– Lindja e Hyjlindëses, më 8 shtator
– Hyrja në Kishën e Shën Marisë, më 21 nëntor
– Ungjillëzimi i Hyjlindëses, më 25 mars
– Fjetja e Shën Marisë, më 15 gusht.
– Meshë për Shën Marinë, më 26 dhjetor

Përveç këtyre festave, në nderimin e Nënës së Perëndisë është përkushtuar edhe dita e Mërkurë e javës. Gjithashtu, më 2 korrik kemi – vendosja në Vllahernë e rrobës së çmuar të Shën Marisë, si edhe më 31 gusht – vendosja e brezit të Shën Marisë. Kemi gjithashtu edhe pesë javët e Kreshmëve të Mëdha, kur psallim Përshëndetjet e Hymnit Akathist: “Gëzohu o nuse e panusëruar”

Siç thamë, në të gjithë Orthodhoksinë e Tërëshenjta nderohet më shumë në Malin e Shenjtë. Atje ndodhen shumë ikona çudibërëse të Hyjlindëses, si Shën Maria Portaetisa në Manastirin Iviron, Shën Maria Kukuzelica në Manastirin e Megjistis Lavras etj.

Kur fliste për figurën e Shën Marisë, profesori ynë i nderuar, i ndjeri z. Dhimitër Beduli, shprehej: “Në personin e Shën Marisë u ngrit lart dhe u trajtua me nderim të veçantë njeriu dhe sidomos gruaja. Asnjë sistem tjetër fetar, shoqëror a filozofik, s’e ngriti gruan aq lart sa Krishtërimi. Se Shën Maria, si përfaqësuese e gjithë fisit njerëzor dhe si nënë e përbashkët e gjithë njerëzve u ngrit gjer tek Froni i Perëndisë dhe njëkohësisht, meqë priti tërë hirin e Perëndisë, këtë hir na e fal edhe na e transmeton edhe neve kur e kërkojmë.”

Përgatiti: Andrea Llukani