EmailFacebookKontakt

Vëmendja

E kremtja e Shenjtë e Rushajeve, më 15 qershor, me fjalën që mbajti Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas dhe Mbrëmësorja e Shpirtit të Shenjtë, që pasoi, me një pjesëmarrje të gjerë besnikësh, japin rast për një meditim të veçantë.

Të vajturit në Kishë është akti më i rëndësishëm i jetës sonë të përditshme, mbasi aty ne përfshihemi në një angazhim tek Perëndia, të pakrahasueshëm me asnjë tjetër, gjë që ndikon mbi të gjitha angazhimet e tjera dhe i shndërron ato nga themeli.

Parakusht për këtë është përqendrimi dhe vëmendja e plotë. Lavdërimeve të Perëndisë dhe Fjalës së Tij u takon të dëgjohen në heshtje soleme, me vëmendje të përqendruar. Vetëm ashtu ne bëhemi pjesëmarrës realë në Liturgjinë dhe në Misteret. Do të ishte me dobi t’i bënim një testim vetes në lidhje me këtë vëmendje, sepse dihet që në kohën e sotme është vëmendja ajo që rrezikohet e para prej morisë së ngjarjeve që na rrethojnë dhe shpesh ajo bie, duke i lënë vendin një pjesëmarrjeje formale. Kjo vjen shpesh ngaqë mosvëmendja e atyre që vijnë në Kishë me hope ua heq vëmendjen atyre që vijnë rregullisht. Ky është aspekti më i thjeshtë, por edhe i njohur. Kisha është krahasuar me një anije që lundron në kohëra. Dashuria e saj për cilindo udhëtar, vepron për ta bërë pjesëtar të devotshëm edhe atë, dëgjues dhe lutës.

Por, ka edhe një aspekt tjetër, ai i ballafaqimit me Botën, ku shpërqendrimi, sekularizimi, përfaqësojnë dallgët e forta që ajo i dërgon Kishës, për ta shmangur nga rruga e saj. Sekularizimi, si fjalë shpreh prirjen e botës për ta bërë të vetën Kishën. Ai është një baticë që shtrihet kudo. Në libra, shtyp, biseda në Mediat dëgjojmë shpesh të flitet për të. Bota, në kuptimin që i jep Ungjilli kësaj fjale, i shton dhe i përsos mjetet për ta brejtur e rënuar vendosmërinë e vëmendshme të besimtarëve, ajo përpiqet të zëvendësojë shenjtërinë e Kishës me një mirësi filantropike, prej institucionit social, që në fakt është mohim i Kishës së Lajmit të mirë. Në këtë orvatje ajo ka patur suksese, duke bërë për vete edhe njerëz të Kishës.

Duke bërë një krahasim me të kaluarën, shohim të ngjasin ndryshime themelore, që flasin për një kthesë të rrezikshme.

Në të shkuarën e ashpër, njerëzimi, megjithëse i mbushur me padrejtësi, kishte një mendësi fetare. Lufta dhe Paqja, dhuna dhe shpëtimi prej saj, motivoheshin nga njerëzit respektivisht me largimin nga e drejta e Zotit dhe me mëshirën e Tij. Çdo çlirim nga e keqja, sado i papërsosur, kishte një farë bekimi, sepse popujt ia detyronin Perëndisë, e lavdëronin dhe e falenderonin. Kurse të këqiat ia ngarkonin vetes në një farë mënyre ose gjendjes mëkare të kohës. Ata, edhe pse të mbushur me vese, ishin të munduar dhe të vetëdijshëm për ligësinë e tyre, pra, të denjë për mëshirë. Kjo ishte një thjeshtësi shpirtërore që mund të gjente vend në Lumërimet: “Lum të vobektit në shpirt, se e atyre është Mbretëria e Qiejve, Lum ata që vajtojnë, se ata do të ngushëllohen”. Me një fjalë, njeriu ishte vërtet mëkatar, por me prirje për ta njohur vetë këtë.

Njeriu i sotëm ndryshon rrënjësisht. Përgjegjësinë për të keqiat ia vesh fatit ose faktorëve politikë, secili sipas bindjes së vet. Diskutohet me zjarr për këtë, kurse ideja se ato e kanë zanafillën tek dobësimi i ndjenjës fetare dhe te shthurrja morale, nis e ndihet. Për këtë ndryshim të mendësisë ekzistojnë një shkak banal dhe një tjetër ideologjik. I pari është mirëqenia. Në një masë të madhe, njerëzit e sotëm janë krijesa të saj, kur mendojnë vetëm për komoditetin, kur bëjnë garë mes tyre për ta shtuar, dhe kjo u sjell një ngushtim të zemrës, një ftohje ndaj të afërmit, sidomos humbjen e thjeshtësisë në shpirt, ajo që në të kaluarën i bënte të kthyeshëm për pendesë, e për përdëllim.

Vendi ynë ka kaluar një të keqe epokale për 50 vjet. Zbritëm në shkallën e fundit të mjerimit. Kjo është një rezervë e madhe për një ringjallje të vërtetë me anë të pendimit dhe të rindërtimit sërish të besimit të thjeshtë, që është dhe terreni më i fortë ku të ndërtohen gjithë të tjerat. Një gjë e tillë po ndodh, siç e tregon edhe puna e Kishës në këto 7 vjet. Por, ngjarjet e fundit tregojnë edhe lakminë për fitime kolosale të padrejta, që u fut njerëzve një vdekje të ngadalshme në zemër.

Shkaku ideologjik: Tabani kulturor materialist i ka regjur mjaft në thellësi mendjet e njerëzve. Intelektualët e kanë vështirë të afrohen. Bota (në kuptimin Ungjillor të fjalës) përdor të gjitha arritjet e progresit dhe ngjarjet e rëndësishme të historisë për të minuar e zhdukur thjeshtësinë lavdëruese të Perëndisë tek njerëzit, p.sh. revolucionin teknologjik për të përkëdhelur tek ata krenarinë e “autorit”; çlirimin seksual, për t’i bindur të rinjtë se pastërtia dhe martesa e konsideruar e shenjtë janë përralla (dhe bashkë me to edhe familja), siç ndodh shumë rëndom me tatëpjetën e natyrshme; revoltën kundër prindërve (të vitit 1968) për të hedhur poshtë imazhin e njeriut-krijesë, që respekton prindin, pra dhe që njeh Krijuesin (Atin Qiellor); psikanalizën, për të shpërbërë mëkatin, duke e quajtur akt të pandërgjegjshëm. Nën këtë ndikim, njeriu ndihet i ditur, i sigurt, krenar, kompleks. Pikërisht është goditur thjeshtësia e tij dhe çoroditja e argëtimit të lehtë (lojra, filma me dhunë e seks), që i gllabërojnë orë pambarim, e lë njeriun pa energji të vërtetë shpirtërore.

Ky veprim i botës bën që vendet që kanë në themel të tyre Krishtërimin, të sekularizohen përherë e më shumë. Mjaft kisha po i bëjnë vend këtij sekularizimi, ngaqë kërkojnë të tërheqin masat rinore jo me shenjtëri, por me koncensione ndaj botës, duke e pranuar liberalizmin dhe jo duke e luftuar atë. Pra, duke u bërë edhe vetë përherë e më të shurdhëra ndaj Ungjillit.

Megjithatë, ajo rini që pëlqen sfidat e forta, mbetet besnike thirrjes së Ungjillit. Kështu tregojnë të dhënat edhe në vendet më të rrezikuara nga paganizmi i konsumit.

Kjo që po ndodh e ka zanafillën e parë tek dëshira për të hetuar e ndryshuar me anë të mendimit dogmat dhe të vërtetat, që na janë dhënë me zbulesë! Besimi Orthodhoks, përkundrazi bazohet tek thjeshtësia shpirtërore, që i pranon këto të vërteta shpëtimtare dhe i “kupton” ato me anë të adhurimit, ku besimtari bëhet pjesëmarrës me anën e lavdërimit të drejtë të tyre, siç pohon dhe emri Orthodhoksi.

Kur biem në gjunjë, duke iu lutur Shpirtit të Shenjtë të zbresë në zemrat tona, ne e ndiejmë veten jo të paaftë për ta menduar si do të ndodhë, por të padenjë për ta merituar. Mendimi, në fund të fundit, është shpërqendrim, kurse ndjenja e ndrydhjes së brendshme është vëmendje. Sepse të çon te thjeshtësia e zemrës, që është i vetmi kusht që Shpirti i Shenjtë lyp prej nesh. Në fakt, Apostujt nuk ishin më të denjë, as më të ditur ditën e parë të Rushajeve në Histori, por ishin prurë nga Hiri i Mësuesit të tyre te një thjeshtësi zemre maksimale, që veç ajo mund të mbushet me Frymën e Shenjtë. Drita nuk hetohet, ajo pranohet. Përqendrimi i atij që ndodhet brenda ngrohtësisë së saj, bëhet njëkohësisht ngazëllim për sigurinë që ajo i jepet falas! (Pra, e liron nga nevoja për të menduar që nuk është veçse spekullim shterp). Pra, bëhet forcë. Forcë për t’i rezistuar shpërqendrimeve, që Bota shpërndan rreth tij. Ngazëllim që e ka arësyen te fjala: “Në botë do të kini shtrëngime, por kini zemër, unë e munda botën”. (Joan 16,33).

L. T.