Më 10 prill, në Liturgjinë Hyjnore në Kishën Katedrale të Tiranës, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, hirotonisi në dhiak Petraq Shemsinë nga qyteti i Beratit.
Më 11 prill, At Kristo Sharko, zz Aleko Dhima dhe Lekë Tasi, morën pjesë në Konferencën Kombëtare të Alevianeve.
Më 24 prill, pas Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga dhiakoni shkodran Aleksandër Petani dhe anëtarë të tjerë të Këshillit Kishtar, pati një takim të përzemërt në Arkipeshkëvinë e Shkodrës me Arkipeshkvin Mgr. Frano Ilia dhe Ipeshkvin Zef Simoni. Në bisedë u vunë në dukje marrëdhëniet vëllazërore midis dy kishave si edhe bashkëekzistenca paqësore midis gjithë komuniteteve fetare. Një çështje që u theksua në veçanti nga të dyja palët është domosdoshmëria e ngritjes sa më shpejt të Kishës Orthodhokse në Shkodër, ku megjithse kanë kaluar 3 vjet lirie fetare, besimtarëve orthodhoksë shkodranë nuk u është dhënë kjo e drejtë elementare. Kryepiskopi Anastas i shprehu Arkipeshkvit Frano Ilia falenderimet për mirësinë që pati Kisha Katolike, duke vënë në dispozicion të besimtarëve orthodhoksë Kishën Françeskane për festën e Madhe të Pashkës.
Më 30 prill, të Shtunën e madhe, në Liturgjinë Hyjnore Kryepiskopi Anastas hirotonisi në dhiak Arqilea Sakon nga Divjaka.
Më 15 Maj, në Liturgjinë Hyjnore të zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës, Kryepiskopi Anastas hirotonisi në prift Panajot Notidhin nga Peshkëpia e Gjirokastrës dhe në dhiakon Spiro Papën nga Mursia e Sarandës.
Më datën 4 qershor, në manastirin e Shën Joan Vladimirit festohet si çdo vit dita e Shenjtit. Janë të ftuar të marrim pjesë të gjithë besimtarët që dëshirojnë.