Kolendrat janë urime, lavdërime apo këngë festive që këndohen nga fëmijët në vigjilje të së kremtes së Krishtlindjes, por edhe të Shën Vasilit, më 1 janar, dhe të Shfaqjes së Perëndisë (Theofanisë), më 6 janar.
Tashmë kjo traditë e lashtë është ripërtërirë në të gjithë vendin tonë. Edhe këtë vit, në Kryepiskopatë dhe Mitropolitë fëmijët u mblodhën për t’i kënduar Lindjes së Zotit Krisht dhe shkuan nëpër shtëpitë e besimtarëve për t’i uruar.
Pragu i Krishtlindjes përkon çdo vit edhe me mobilizimin për mbledhje ndihmash e ofrimesh, për t’i shpërndarë në familjet në nevojë. Ndër nismat e tilla spikat veçanërisht ajo e Rinisë Orthodhokse, e cila ka mbledhur, paketuar e shpërndarë pako në qindra familje. Një tjetër veçori e kësaj periudhe janë edhe vizitat në shtëpitë e të moshuarve, drekat festive në komunitet etj.
Në fotot mëposhtë: Ndihmat e mbledhura nga Rinia Orthodhokse e Kryepiskopatës dhe një vizitë e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla, së bashku me anëtarë të stafit të Zyrës së Katekizmit të Mitropolisë, në shtëpinë e të moshuarve të qytetit të tyre.