– Deri në fund të vitit do të riparohen e pajisen me kontributin e Kishës sonë 7 shkolla dhe 3 kopshte –
Një vit më parë, Kisha jonë, ashtu si gjithë shoqëria shqiptare dhe komuniteti ndërkombëtar ishte e impenjuar me të gjitha mundësitë e saj në ndihmën për vëllezërit e ardhur nga Kosova. Pjesë e gjithë kësaj ndihme ishte dhe kujdesi për edukimin, i cili u krye në strukturat e arsimimit publik, të cilat patën shumë dëme, si rezultat i ngarkesës së shtuar. Sot, Kisha jonë merr pjesë aktive në rehabilitimin e këtyre strukturave, në përgjigje edhe të thirrjes së autoriteteve shtetërore. Dhe në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare.
Kështu, në 6-mujorin e parë të këtij viti do mbarojë rehabilitimi i 3 shkollave dhe 1 kopshti fëmijësh. Tashmë ka përfunduar shkolla e Ndroqit, ndërsa po punohet në Luz të Vogël e Peqin. Si rrjedhojë, do kenë kushte mjaft më të mira rreth 1560 nxënës dhe 100 fëmijë të moshës parashkollore. Përveç riparimeve të mjediseve, për këto shkolla do sigurohen pajisjet e plota për 54 klasa, 780 tabela të zeza, 1560 karrige dhe 1560 çanta shkolle.
Në fazen e dytë, korrik-dhjetor 2000, Kisha jonë, nëpërmjet strukturave të zyrës “Shërbimi i Dashurisë” (DA), do të kryejë rehabilitimin tërësor të 4 shkollave të tjera dhe 2 kopshteve, në Elbasan, Peqin, Tiranë dhe Rrogozhinë, nga i cili do të përfitojnë edhe 1600 fëmijë të tjerë (210 në moshë parashkollore). Në këtë fazë do pajisen 64 klasa mësimore, do jepen 8000 tabela të zeza dhe 1600 karrige.
Korresp. i “Ngjalljes”