EmailFacebookKontakt

Vatër përgatitjeje për jetën në nivelet bashkëkohore

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në mënyrë atërore është kujdesur jo vetëm për kryerjen e shërbesave dhe jetën shpirtërore të besimtarëve, por edhe për nevojat e tjera të tyre, duke e vënë theksin tek ndihma për edukimin e brezit të ri. Kështu sot, globalizimi i ekonomisë dhe zhvillimi teknologjik kanë sjellë risi të cilat ishin të paimagjinueshme vetëm pak vjet më parë. Shpesh, shkolla tradicionale nuk arrin t’u përgjigjet kërkesave në rritje dhe ky është një boshllëk që dëmton e pengon zhvillimin e shpejtë të vendit. Për të plotësuar ëto kërkesa të kohës, me kujdesin e Fortlumturisë së Tij Anastasit, u hap një Institut për përgatitjen e të rinjve me dijet më të fundit.

Me një ceremoni të thjeshtë, në 18 tetor hapi dyert për studentët e parë Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, i Kishës sonë. Eshtë ai një tempull i ri dijeje, që do të presë nxënës që kanë mbaruar shkollën e mesme, të cilëve do t’u çelë dyert e shekullit të ri, me anën e një përgatitjeje sipas kërkesave bashkëkohore të tregut të punës. Shkolla do t’i përgjigjet jo vetëm zhvillimit të Shqipërisë, por edhe nivelit profesional të vendeve të zhvilluara.

Në hapjen e vitit të parë mësimor mori pjesë edhe Kryepiskopi, Prof. Dr. Anastasi, klerikë, përfaqësues të shoqërisë “Delta”, pedagogët e nxënësit etj. Fjala e mirëseardhjes u mbajt nga drejtori, Z. Kostas Kristomano, i grupit “Delta”, i cili theksoi ndër të tjera, se “Me frymë dashurie, në këtë mjedis do të ofrojmë dijet tona shkencore, përvojën profesionale, aftësitë tona mësimdhënëse… Në shkollën tonë do t’iu ofrojmë shpresën dhe mundësinë t’i përgjigjeni me dinamizëm kërkesave të shekullit të ri që po vjen, do merrni dije që do t’iu hapin dyert e jetës dhe do t’u bëjnë të zini vend me dinjitet në shoqëri…”.

Gjithashtu, u lexua edhe përshëndetja e drejtorit të shkollave “Delta”, z. Karkanja, i cili ndodhej në përurimin e dy shkollave të ngjashme në Bullgari, i cili vinte në dukje se ky grup shkollash vepron që nga viti 1960, me 10 shkolla e mbi 5 mijë nxënës në Greqi, 3 shkolla në Bullgari e një në Shkup, të gjitha me të njëjtat programe që po përdoren në shkollën tonë.

Më pas, përshëndeti një nga pedagogët, në emër të trupit arsimor, i cili iu drejtua nxënësve, se “Keni bërë një zgjedhje shumë të mirë, që do t’iu bëjë të përshtatshëm ndaj kërkesave të tregut në Shqipëri…”

Pastaj të pranishmëve iu drejtua Kryepiskopi Anastas:

“Bijtë e mij të shtrenjtë!

Që prej mjaft kohësh kisha vënë re se ekzistonte një vakuum i madh në edukim. Duke punuar dhe unë për 25 vjet si pedagog në Universitet, besoj absolutisht se më e rëndësishmja që duhet të bëhet në një vend është zhvillimi i arsimit.

Ekziston një bashkëpunim midis shkollës së mesme dhe Universitetit. Ndërsa në tërë Evropën është zhvilluar një stad i ndërmjetëm midis tyre, këtu nuk kishte hyrë ende ky sistem. Kështu që u interesova dhe kërkova të gjeja grupet më të specializuara në këtë fushë dhe t’i sillja këtu për të na ndihmuar…

Patëm mjaft vështirësi për të realizuar finacimin e këtij programi. Patëm shumë premtime këto dy vitet e fundit, po kur vinte puna për t’u bërë realitet, atëherë ngecnim. Kështu që morëm një vendim tepër të guximshëm. Po të dëgjonim vetëm premtimet, ndoshta do të duhej të prisnim shumë vite për t’u bërë realitet. Nga vende të ndryshme në Evropë mblodhëm një shumë parash, për të ndërtuar një kishë orthodhokse dhe vendimi që morën ishte, se nuk do të ndërtonim kishën, por do ishte më e preferueshme të hapnim një shkollë të tillë.

Që të bëhej dhe rikonstruktohej kjo ndërtesë, si edhe për Qendrën Diagnostike apo godinën tjetër, ku do veprojnë degë të kësaj shkolle, që të ketë pamje më të mirë, që programi të funksionojë menjëherë, u deshën 70-80 milionë lekë të reja. Nuk janë shumë për rininë. Çdo gjë që ofrohet për edukimin e brezit të ri është oferta dhe përkushtimi më i rëndësishëm që mund të bëhet.

U përpoqëm dhe u lutëm që të bashkëpunojmë me Institutin, me profesorë të shquar që punojnë këtu në Tiranë dhe u jemi mirënjohës për gatishmërinë dhe interesimin e tyre. Nga ky aspekt është një program që mbështetet në një përvojë dekadash, kushtet për të cilat përpiqemi janë më të mirat, personeli i zgjedhur. Por këto nuk mjaftojnë që shkolla të ketë sukses. Sekreti për këtë janë studentët e saj. Puna e madhe që duhet të bëjnë dhe përpjekjet e tyre. Ekziston mendimi se në një shkollë studentët janë të mirë ose të dobët. Edhe në këtë pikë do desha të ishim në pararojë. Unë besot se vlera e një shkolle është e barabartë me atë të nxënësit më të dobët ashtu si rezistenca e një zinxhiri është e barabartë me atë të hallkës më të dobët. Pra, përpjekja jonë do të jetë që të gjithë të ecin mirë. Nuk është e thënë që disa të jenë mirë dhe të tjerët pothuaj mirë. Ka shkolla në Evropë apo Amerikë, që vetëm emri i tyre mjafton, që ata që kanë mbaruar të kenë një vend pune të mirë. Askush nuk pyet dikë që mbaroi Harwardin, se me ç’nota doli. Baza e kësaj shkolle është se të gjithë ecin mirë. Ndaj do t’ju lutesha të gjithëve të bënin të pamundurën që kjo shkollë të ketë sukses. Nuk do të jemi as të ashpër as të butë. Do të jemi të vërtetë dhe të drejtë. Ata që do të kenë rendiment në mësime do të marrin notën që u takon. Ata që nuk do të kenë rendiment nuk do të kenë mundësi për të vazhduar. Rezultati do të jetë i tillë që të mjaftonte diploma për të punuar kudo.

Ju duhet të keni shumë dashuri për vendin, shumë dashuri për përparim e zhvillim. Jam i sigurt se të gjithë do bashkëpunojmë që kjo shkollë të jetë një bekim.

Ju uroj të gjithëve shumë fuqi, shumë frymëzim, shumë rendiment për përpjekjet që do të bëni dhe jam i sigurt se jeta juaj do të jetë një rrugë e bekuar. Vendit i duhet shpresë. Ju jeni shpresa jo vetëm për të ardhmen, por edhe e së tashmes. Perëndia qoftë gjithnjë me ju.”

Pastaj u bënë vizita në mjediset e shkollës, ndërsa nxënësit u njohën nga pedagogët respektivë me programin e mësimeve.

Instituti profesional “Fryma e dashurisë” ka 160 nxënës, të seleksionuar mes kërkesave të shumta që erdhën, dhe 35 pedagogë me tituj shkencorë apo të mirënjohur në degët e tyre. Nxënësit do studiojnë në 6 degë mësimore: informatikë, specialist në llogari të kompjuterizuara, kuadër menaxher, specialistë për laboratorët biokimikë dhe bakteriologjikë, restaurim veprash arti dhe ikonografi.

Korresp. i “Ngjalljes”

Pamje e përgjithshme e godinës së Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, e cila pas blerjes u rikonstruktua thellësisht dhe u pajis me mjete didaktike bashkëkohore.

Pamje nga klasa e informatikës e Institutit, e cila është e pajisur me kompjutera të gjeneratës së fundit.