Në këtë kapitull të ri të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që shenjoi zgjedhja dhe fronëzimi i Fortlumturisë së Tij, Joanit, nuk munguan urime të shumta edhe nga krerë të shtetit, politikanë dhe personalitete të shumtë nga mbarë vendi.
Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj, në ditën e zgjedhjes së Kryepiskopit të ri, duke e uruar atë përzemërsisht, theksoi: “Nën drejtimin e tij, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një shtyllë e fortë e besimit, paqes dhe vlerave shpirtërore për besimtarët dhe për gjithë shoqërinë shqiptare”.
Gjithashtu, Kryeministri, Shkëlqesia e Tij, z. Edi Rama, uroi komunitetin orthodhoks për zgjedhjen e një Kryebariu të denjë, me lutjen “që Zoti ta mbrojë e ta udhëzojë gjithnjë në misionin e Tij të udhërrëfyesit të grigjës së besimtarëve orthodhoksë”.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, shprehu lutjet dhe urimet që Kryepiskopi i zgjedhur të ketë përherë “ndriçimin e Perëndisë, kthjelltësinë hyjnore, bekimin dhe urtësinë si bariu i mirë i besimtarëve orthodhoksë”.
Urimeve të shumta iu bashkua edhe Kreu i Opozitës, z. Sali Berisha, i cili, duke e cilësuar Kryepiskopin Joan “pasardhës të Kryepeshkopit të ndritur Anastas Janullatos”, e uroi përzemërsisht “për marrjen e misionit të tij të lartë kishtar dhe hyjnor si Kryepiskop, udhëheqësi më i lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. I uroj suksese në vazhdimin e veprës së ndritur të parardhësve të tij për zhvillimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e tolerancës, dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar në Shqipëri”.