EmailFacebookKontakt

Urim nga Papa i Romës, Shenjtëria e Tij, Françesku

Fortlumturisë së Tij, Joanit
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Me gëzim të veçantë i përcjell Fortlumturisë Suaj përshëndetje vëllazërore në dashurinë e Krishtit, me rastin e fronëzimit tuaj si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Duke shprehur afërsinë time shpirtërore, ju siguroj mbetem në lutje për ju drejtuar Perëndisë, Atit tonë, Burimit të çdo të mire, që t’ju japë me bollëk dhurata të Shpirtit të Shenjtë, teksa baritoni grigjën që ju është besuar.

Jeni tashmë pasues i vëllait të lumur, Kryepiskopit Anastas, i cili, me dëshminë e jetës së vet të krishterë dhe zellin e tij apostolik ka lënë një trashëgimi të qëndrueshme në Shqipëri. Ndërmjet aktiviteteve të tij të shumta përgjatë shërbesës së tij, Anastasi u dallua për angazhimin për të arritur bashkekzistencë paqësore mes burrash e grash nga Kisha dhe tradita të ndryshme fetare, dhe kontributi i tij për përmirësimin e lidhjes mes Kishave tona ishte i gjerë.

Jam i sigurt se ju, Fortlumturi, duke ndjekur shembullin e paraardhësit tuaj, do të vazhdoni të mbështesni dialogun, si një mënyrë për të kapërcyer ndasitë dhe për të nxitur kërkimin për kungim të plotë mes të gjithë nxënësve të Krishtit. Vërtet, në këto kohë të vështira të shenjuara nga luftërat dhe dhuna, del si nevojë urgjente që të krishterët të jenë dëshmi e besueshme e unitetit, që e gjithë bota të përqafojë mesazhin ungjillor për paqe dhe solidaritet vëllazëror. Kësisoj, mbartim mbi vete përgjegjësi për të përparuar më tej bashkarisht, duke manifesuar në mënyrë gjithnjë e më të dukshme kungimin e vërtetë, në mos edhe të plotë, që na bashkon. Shpresoj përzemërsisht që, nën udhëheqjen tuaj atërore, të zhvillohen më tej lidhjet mes Kishave tona, duke gjetur forma të reja bashkëpunimi frytdhënës në shpalljen e Ungjillit, duke u shërbyer atyre që kanë nevojë më tepër, duke ripërtërirë angazhimin tonë në zgjidhjen e gjërave që na ndajnë, përmes dialogut të bamirësisë dhe të së vërtetës.

Me këto ndjenja, dhe duke ju siguruar sërish se mbeteni në lutjet dhe urimet e mia të shumta, lutem që Perëndia t’ju japë çdo hir dhe bekim në shërbimin tuaj të lartë, dhe shkëmbej me Fortlumturinë tuaj përqafim vëllazëror në Krishtin Jisu.

Françesku
Vatikan, më 25 Mars 2025.