Mitropoliti i Gjithë Amerikës dhe Kanadasë, † Tikhoni
Kryepiskopi i zgjedhur i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Fortlumturi, vëlla dhe bashkëmeshtar në Misteret e Zotit,
Ju shkruaj për t’ju përcjellë urimet e mia për zgjedhjen tuaj si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Thirrja për shërbesën kryepiskopale është gjithnjë përulëse, jo vetëm për shkak të lartësisë së kësaj detyre, por edhe për barrën e rëndë që ajo mbart. Fakti që paraardhësi juaj, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i ndjerë Anastas, e kreu shërbesën e tij me kaq besnikëri, zell dhe dashuri, e shfaq edhe më shumë madhështinë e detyrës që ju është besuar.
Jam i sigurt, megjithatë, se ndërsa pranoni fronin kryepiskopal të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga dora e vetë Krishtit, mund të mbështeteni gjithnjë në shembullin dhe mësimet e paraardhësit dhe mësuesit tuaj të ndjerë, si dhe në përvojën dhe ndërmjetësimet e të gjithë hierarkëve të shenjtë dhe të gjithë shenjtorëve. Së fundmi, ju siguroj se do të lutem për ju, vëllai im, ndërsa merrni fronin kryepiskopal të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë.
Lutem për ju dhe që marrëdhëniet e mira mes Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse në Amerikë të mbeten të forta, duke u fuqizuar më tej në vitet që do të vijnë, ndërsa vijojmë të kërkojmë mundësi bashkëpunimi për shpalljen e Ungjillit dhe forcimin e unitetit të Kishës së Shenjtë Orthodhokse.
Edhe një herë, ju lutem pranoni dashurinë time vëllazërore dhe urimet e mia të përzemërta. Zoti ju dhëntë shumë vite të bekuara si Kryepiskop i gjithë Shqipërisë.
Vëllai juaj në Krishtin,
+Tikhoni
Kryepiskop i Uashingtonit
Mitropolit i gjithë Amerikës dhe Kanadasë