Urime nga krerë të organizatave botërore ndër të krishtera
Kryepiskopi i Thiatires dhe Britanisë së Madhe, z. Nikita, Kryetar i Konferencës së Kishave Evropiane (Council of European Churches – CEC), në një letër urimi drejtuar Kryepiskopit Joan, shkruan ndër të tjera: “Marrim pjesë në gëzimin tuaj teksa merrni përsipër këtë përgjegjësi të shenjtë dhe lutemi për bekime të bollshme në shërbesën tuaj”.
Kryepiskopi Nikita konfirmoi besimin thellësisht të rrënjosur të komunitetit orthodhoks shqiptar. “Jemi të sigurt se, nën udhëheqjen tuaj, Kisha në Shqipëri do të vazhdojë të lulëzojë, duke u rritur në unitet, forcë dhe dashuri për Krishtin dhe për njëri-tjetrin”.
CEC pret me padurim bashkëpunimin e saj me Kryepiskopin e ri. “Udhëheqja juaj do të jetë një aset i çmuar jo vetëm për Kishën Orthodhokse, por edhe për lëvizjen më të gjerë ekumenike. Besojmë se, përmes bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët, Konferenca e Kishave Evropiane dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojnë të ndërtojnë ura besimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis të krishterëve”.
Zoti ju dhëntë urtësi, durim dhe forcë ndërsa udhëheqni besimtarët në Shqipëri dhe më gjerë”.