EmailFacebookKontakt

“uniteti me krishtin i orthodhoksëve”

Nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë + Anastasi

Ka nisur një udhëtim nëpër rrugët e teknologjisë, shkencës dhe ekonomisë, që përshpejtojnë afrimin e njerëzve. Në këtë zhvillim, një rëndësi të veçantë dhe të drejtpërdrejtë për ne merr forcimi i lidhjeve dhe dëshmia e përbashkët e orthodhoksëve mbi besimin. Roli bazë, të cilin ftohemi të luajmë në brumosjen dhe kërkimin e sotëm shpirtëror, vetëm me unitet mund të përmbushet…

I
Jetë personale shpirtërore në “Kishën apostolike”

Kur flasim për unitet, duhet shkuar deri në rrënjët e Shkrimit të Shenjtë të Kishës sonë. Lutja Arkihieratike e Zotit përbën zemrën e tyre. “Unë tek ata dhe ti tek unë, që të jenë të përkryer në një” (Jo. 17:23). Që të jemi “të përkryer në një”, duhet që Zoti të jetë tek ne. Dhe vetë Ai e sqaron kuptimin e “të qenit” tek Ai. “Nëse do t’i mbani porositë e mia, do të mbeteni në dashurinë time, sikundër unë ruajta porositë e tim Eti dhe mbetem në dashurinë e tij” (Jo.15:10).

Unitetin thelbësor nuk duhet ta shohim si diçka mekanike dhe të jashtme, që do ta siguronin diskutimet dhe kontaktet “në nivel të lartë”. Ai do të realizohet sidomos nga rilindja shpirtërore e besimtarëve, si fryt shenjtërie. Lidhja e unitetit të së vërtetës dhe shenjtërisë ndërgjegjësohet gjithnjë e më tepër nga ata që merren me afrimin ndërorthodhoks. Sa më shumë i afrohemi me vetëdije Krishtit aq më thelbësisht i afrohemi njëri-tjetrit. Ai mbetet qendra konstante e unitetit tonë.

Gjëja parësore për të cilën duhet treguar kujdes është thellimi dhe forcimi i jetës sonë shpirtërore. Ta njohim më mirë Krishtin, ta duam Atë më shumë, t’i shërbejmë më me konsekuencë. Të mos mbetemi në një njohje sipërfaqësore të disa të vërtetave dogmatike të Kishës sonë, por të ecim vazhdimisht në një njohje personale, ekzistenciale të Personit të Krishtit. Apostull Pavli na ka zbuluar rrugën për të qenë të bashkuar me Krishtin dhe, studimi i vazhdueshëm i përvojës së tij, na ndihmon për të ecur me të. Ai këmbëngul se “të gjithë sa jeni pagëzuar me Krishtin, Krishtin keni veshur. Nuk ka më as jude, as grek, nuk ka më as skllav, as të lirë, nuk ka më as burrë as grua; sepse ju të gjithë jeni një me Krishtin Jisu” (Gal. 3:27-28). Kjo përbën pikënisjen. Por, fundi mbetet ky: “Edhe nuk jetoj më unë, po jeton Krishti tek unë” (Gal. 2:20). “Që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij… duke u bërë një në formë me vdekjen e tij” (Filip.3:10). Këto janë majat e jetës shpirtërore, drejt të cilave ftohemi të shkojmë, duke qëndruar gjithnjë syhapur.

Dhe natyrisht, kjo nuk bëhet e mundur me forcat tona. Vetëm me frymën e Shpirtit të Shenjtë mund të ecim drejt tyre. “Askush nuk mund t’i thotë Jisuit Zot, përveçse me Shpirtin e Shenjtë” (I Korint. 12:3). Thelbi i përpjekjes sonë shpirtërore është “të forcoheni me fuqi me anën e Frymës së tij në njeriun e brendshëm, që në zemrat tuaja të rrijë Krishti nëpërmjet besimit” (Efes. 3:16-17). Kjo jetë e brendshme me Krishtin, marrëdhënia ekzistenciale me Të me dashuri, kryhet në një konceptim esencial të dashurisë së Tij, që kapërcen çdo lloj diturie dhe përfundon në një përmbushje jete me Perëndinë. Me fjalët e Apostull Pavlit: “duke pasur ju rrënjë dhe themel në dashuri, që të mund të kuptoni bashkë me gjithë shenjtorët ç’është gjerësia dhe gjatësia, dhe thellësia dhe lartësia, dhe të njihni dashurinë e Krishtit që kapërcen çdo dije, që të mbusheni me çdo përplotje të Perëndisë” (Efes. 3:18-19).

Kjo gjë nuk arrihet veçmas, si një arritje individuale, por në Kishë, bashkë me gjithë shenjtorët, me një fuqi mahnitëse që kryhet brenda nesh. Jeta jonë shpirtërore nuk është thjesht një çështje private. Nxjerr esencën e saj nga fakti se me anën e pagëzimit jemi përqëndruar në Trupin e Krishtit, “i cili është Kisha” dhe rritemi me Krishtin me anën e hirit hyjnor që jepet me anën e mistereve. Por, njëkohësisht, progresi shpirtëror i çdo anëtari, kontribuon në unitetin kishtar. Duhet të ndërgjegjësohemi se çdo hap që secili prej nesh hedh drejt Zotit është hap i orthodhoksëve drejt një uniteti më të madh. Është shumë e madhe fuqia ontologjike që ka udha e njërit, e dhjetë apo dyqind njerëzve drejt spiritualitetit të vërtetë orthodhoks, drejt dëlirësisë.

Spiritualiteti dhe uniteti ynë bazohen në faktin se bëjmë pjesë në “një Kishë, të shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike”. Ndërgjegjja e qartë e karakterit apostolik të Kishës sonë përbën gurin themeltar të unitetit të Orthodhoksëve. Kisha Orthodhokse është apostolike, sepse: a) U krijua nga i dërguari kryesor i Perëndisë, nga i Biri i Perëndisë, Jisu Krishti, dhe u themelua në kohën e Apostujve. b) E kupton vetveten si të përputhur direkt me komunitetin apostolik, siç përshkruhet në Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Hirshme, që përbën mitrën që lindi Kanonin e Dhiatës së Re. c) E ruan të plotë dhe të palëkundur doktrinën e Apostujve, me ndërgjegje të patundur për vazhdimësinë e pandërprerë të saj në histori dhe i mbetet besnike Fjalës së Perëndisë, siç është kuptuar në kohën apostolike dhe me udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë është ruajtur si Traditë e Hirshme në shekuj. d) Mbështet jetën e saj në kryerjen e Mistereve, siç u përcaktuan nga Krishti dhe u transmetuan nga Apostujt. e) Është apostolike, sepse është e ndërtuar pazgjidhmësisht në vazhdimësinë apostolike të episkopëve dhe të klerit që ata hirotonisën. Gjithashtu, ekziston një aspekt tjetër i karakterit apostolik, të cilit do t’i referohem më pas.

II
“Pika” më e lartë dhe fuqia e unitetit, Eukaristia Hyjnore

Një tjetër gur themeltar i unitetit të Orthodhoksëve mbetet “potiri i jetës”, Eukaristia Hyjnore. Zoti ynë deklaroi: “Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim mbetet tek unë, dhe unë tek ai” (Jo. 6:56). Dhe Pavli sqaroi: “Se një është buka dhe ne të shumtët jemi një trup, sepse të gjithë kemi pjesë nga kjo bukë e vetme” (I Korint. 10:17). Adhurimi i përbashkët, dhoksologjia e përbashkët ndaj Perëndisë së gjallë, është ajo që na ka mbajtur të bashkuar, me gjithë mungesën e ndonjë komunikimi tjetër dhe me gjithë kontradiktat psikologjike dhe politike të së kaluarës. “Gjaku i nderuar, i tërëshenjtë dhe i pacënuar i Zotit”, që hyn me anën e Misterit të Kungatës Hyjnore “në të gjitha dejet, në veshka, në zemër”, formon “një lidhje të re gjaku”, pakrahasueshmërisht më të shenjtë dhe, rrjedhimisht, më të fuqishme se lidhja që krijon gjaku i trupit njerëzor. Sa më shumë besojmë dhe sa më shpesh kungohemi me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, aq më shumë e ndjejmë veten, ne orthodhoksët, të bashkuar me Krishtin. Dhe, në të kundërt, sa më pak ndjejmë lidhjen që na bashkon me të gjithë orthodhoksët, aq më cekët përballojmë dhe jetojmë këtë Mister.

Me Eukaristinë Hyjnore mposhtim perdet e ndryshme që na ndajnë. Mposhtim dallimet racore, sepse “duke u kunguar me gjakun e Krishtit”, ndjejmë, “njohim” ekzistencialisht se përbëjmë një komb të ri, “një brez të zgjedhur, priftëri mbretërie, komb të shenjtëruar” (I Petr. 2:9). Ne mposhtim ndarjen e largësive, sepse e dimë se vetë Zoti është i pranishëm në të gjitha altaret orthodhokse të botës. Mposhtim dizavantazhin e natyrshëm të larmisë së gjuhëve, sepse Liturgjia Hyjnore, me uratat, lëvizjet, veprimet që ajo cakton – në të cilat dominon një përmbajtje e përbashkët konceptesh – përbën një gjuhë mbarëbotërore, mbarorthodhokse. Një gjuhë shprehëse e pakrahasueshme, eukaristike, dhoksologjike, që na lidh. Në mënyrë më lirike, ajo shpreh unitetin që formon Eukaristia Hyjnore, urimi i lashtë i referimit, që solli deri sot Mësimi i Dymbëdhjetë Apostujve: “Ashtu si copat ishin të shpërndarë dhe mbi male dhe duke u mbledhur u bënë një, ashtu do të mblidhet dhe Kisha jote anembanë tokës në mbretërinë tënde. Se e jotja është lavdia dhe fuqia, me anën e Jisu Krishtit, në jetë të jetëve” (Mësimi i 12 Apostujve, IX, 4). Me dy fjalë: Eukaristia Hyjnore është rrënja dhe shprehja e unitetit të Kishës Orthodhokse.

Ndaj, duhet të tregojmë kujdes që në çdo Liturgji Hyjnore të jetojmë unitetin mistik të besimtarëve orthodhoksë. Të mos i kufizojmë mendimet, lutjen, meditimin vetëm tek vetja jonë, tek mëkatet tona. Kur dëgjojmë “për paqen në mbarë botën, për mirëqëndrimin e Kishave të shenjta të Perëndisë”, “për gjithë qytetin, vendin dhe besimtarët që banojnë në të”, le të përqafojmë me gjithë shpirt tërë Kishën. Le të mos bëjmë gabimin që t’i përdorim lutjet e Liturgjisë thjesht si një rast për të thënë lutjet tona individuale dhe të mbetemi në problemet tona vetjake. Atëherë, mund të bëhesh një i krishterë i vërtetë, kur pushon së preokupuari me veten tënde dhe rron me ndjesinë e të gjithë Kishës. Duke kultivuar një jetë të thellë dhe liturgjike në vendin tonë, kontribuojmë në afrimin më të madh të Orthodhoksëve. Muret që pengojnë popullin e Perëndisë në rrugën drejt vëllazërimit të vërtetë, duhen shembur, ashtu si dikur muret e Jerikosë, me boritë e adhurimit.

(vijon në numrin e ardhshëm)

Shënim: Kjo është një pjesë e referatit të mbajtur nga Kryepiskopi Anastas para të rinjve në Konferencën Ndërorthodhokse Ballkanike.